Aktualitet

Testi i Arritshmërisë në Kosovë/ Ahmeti: Është e lehtë të parandalohet kopjimi i nxënësëve nga komisionerët

Testi Shtetëror i Maturës dhe Testi i Arritshmërisë në Kosovë, si formë e vlerësimit të matjes së njohurive të nxënësve, vazhdimisht po përcillet me parregullsi. Nxënësit arrijnë të kopjojnë, madje shpesh ndodh që testi të shpërndahet edhe nëpër rrjete sociale.

Në lidhje me parregullsitë në këtë proces të testimit, rezutatet dhe ndërmarrje nga organet kompetente, në një prononcim për , drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, ka potencuar se besueshmëria tek rezultatet e këtij testi janë tejet të ulëta.

“Pothuajse çdo vit, testi i arritshmërisë, ashtu sikurse edhe i maturës, përcillen me parregullsi pasi testet dhe pyetjet shpërndahen nëpër rrjete sociale dhe në platforma të tjera në të cilat kanë qasje nxënësit. Krahas kësaj, kopjimi mes nxënësve është në përmasa masive ku shpeshherë edhe vet administratohet përfshihen duke toleruar, apo mundësuar kopjimin gjatë testimit. Gjithsesi, ka përjashtime nga kjo, duke qenë se në të gjitha hapësirat tolerohet, apo mundësohet kopjimi”, theksoi ai.

“Si rrjedhojë e kopjimit masiv, besueshmëria e rezultateve që dalin nga këto teste është tejet e ulët. Në fakt, shpeshherë me kundër efekt, pasi nxënësit e shkëlqyer barazohen ose në raste rezultojnë më dobët se nxënësit me nota të dobëta, përderisa këta të fundit aftësohen tutje për metoda të mashtrimit dhe kopjimit dhe krijojnë besim të rrejshëm mbi dijen dhe aftësitë përkatëse. Fundja edhe Zyra e Auditimit, ka gjetur se nxënësit me notë mesatare 2 kanë arritur që në teste të tilla kombëtare të dalin me rezultate kulminante”, vazhdoi Ahmeti nga Etea.

Sipas drejtorit ekzekutiv të organizatës ETEA, komisionerët që janë të angazhuar në testin e arritshmërisë ju mungon vullneti për të parandaluar kopjimet në klasa.

“Sa i përket përgatitjeve, mjafton që administratorët dhe komisionerët të jenë në krye të detyrës duke pamundësuar kopjimin në klasa. Fundja në një klasë nuk ka më shumë se 15 nxënës dhe është krejtësisht e lehtë të parandalohet kopjimi, thjesht nevojitet vullnet për të bërë një gjë të tillë”, tha tutje Ahmeti.

“Testet kombëtare duhet të shërbejnë si mekanizma llogaridhënës ndaj institucioneve qeverisëse të nivelit lokal dhe qëndror. Përderisa ka kopjim, ky qëllim nuk përmbushet dhe si i tillë mbetet vetëm një proces që i shkakton humbje buxhetit të shtetit dhe stres e ngarkesë të paarsyeshme fëmijëve. Prandaj, është e rëndësishme që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të krijojë kushte për mbarëvajtjen e këtij procesi, duke eliminuar dhe sanksionuar çfarëdo forme mashtrimi brenda ambienteve ku zhvillohet testi. Në të kundërt, si i tillë nuk ia vlen të mbahet”, potencoi ai.

“Testi PISA në kundërshtim me atë se çka mësojnë nxënësit në Kosovë”

Ahmeti theksoi se Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionet (MASHTI), çdo ditë ndikohet në raportet e administratorëve në procesin e testit të arritshmërisë, gjë kjo sipas ekspertit të arsimit ky dikaster është duke injoruar reagimet e Organizatave të Shoqërisë Civile dhe mediave.

“Ligji për Provimin e Maturës parasheh sanksione krejtësisht të lehta për administratorët që tolerojnë ose kontribojnë në kopjimin e nxënësve. Në anën tjetër, janë të pakta rastet kur administratorët janë sanksionuar sipas këtyre neneve, por edhe kur janë sanksionuar gjithherë janë dhënë dënimet minimale të parapara në ligj. E krejt kjo na sjellë këtë rezultat ku, fenomeni i kopjimit është rrënjosur në sistemin arsimor të Kosovës, duke u shndërruar në kulturë kolektive mashtruese, pasi për fat të keq në këtë fenomen, përveç nxënësëve, përfshihen prindërit, të afërmit e tjerë, miqtë dhe mësimdhënësit meqë e konsiderojnë ndihmesë për nxënësit. Për më tej, MASHTI nuk shfaq interesim dhe gatishmëri për t’u marrë me këto çështje. Pothuajse çdo vit, Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), mjaftohet me raportet e administratorëve të cilët natyrshëm raportojnë se në klasët përkatëse nuk ka pasur kopjim, apo parregullsi të tjera, duke injoruar tërësisht reagimet dhe informatat e Organizatave të Shoqërisë Civile dhe mediave të cilat monitorojnë testet gjatë ditëve kur këto zhvillohen”, vazhdoi ai.

Ahmeti: DKA-të të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që ndërlidhen me ngacmimet në shkolla

Në fund Ahmeti, ka theksuar se në bazë të raporteve hulumtuese nga organizata ETEA në vitet 2018 – 2020, dihet se kopjimi në shkollë fillon nga klasa e tretë e shkollës fillore.

“Gjithsesi, këtu keni një informatë relevante: Në raportet hulumtuese të organizatës ETEA, të zhvilluara përgjatë viteve 2018-2020, del se kopjimi në shkolla fillon nga klasa e 3 – të përmes kopjimit të referateve. Pastaj ndër vite, kjo qasje mashtruese thellohet dhe zgjerohet në pothuajse të gjitha lëndët dhe obligimet shkollore, me ç’rast deri në 78.6% e nxënësve të klasëve të 9-ta vetëdeklarohen se shfrytëzojnë metoda të kopjimit për të përfunduar obligimet shkollore”, përfundoi drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA Agon Ahmeti.

//



#Testi #Arritshmërisë #në #Kosovë #Ahmeti #Është #lehtë #të #parandalohet #kopjimi #nxënësëve #nga #komisionerët
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button