Aktualitet

Nga Salianji me hu në dorë, tek “oksigjeni” i Metës: Odiseja 3-vjeçare mes Berishës e Bashës

Vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, pasi ishte shpallur më herët non-grata nga amerikanët, shënoi pikënisjen e një lufte të gjatë dhe të lodhshme mes demokratëve. Ky vendim personal i Bashës, nuk u prit mirë nga Sali Berisha, i cili mesazhin e parë e dha nga oborri i Kuvendit, pasi iu komunikua edhe nga Lindita Nikolla se në këtë legjislaturë nuk mund të quhej dot deputet i Partisë Demokratike.

Pavarësisht këtij qëndrimi Lulzim Basha, përsëriti edhe njëherë se qëndrimi i tij nuk mund të zhbëhet.

Teksa demokratët ishin ende të habitur dhe nuk po merrnin asnjë shpjegim nga Lulzim Basha, ishte vetë Sali Berisha ai që reagoi sërish duke nisur takimet me bazën, të pagëzuar si Foltorja.

Për muaj me radhë, lideri historik i PD i ra Shqipërisë kryq e tërthor, për të informuar demokratët se po synonte rikthimin në krye të PD. Por edhe për t’u shpjeguar se Lulzim Basha e kishte marrë vendimin nën kushtet e një pengu në duart e Kryeministrit Rama.

Gjatë takimeve, Berisha mblodhi dhe firmat e delegatëve dhe në 11 Dhjetor 2021 thirri Kuvendin Kombëtar, duke njoftuar shkarkimin e Lulzim Bashës dhe dhënies jetë të Komisionit të Rithemelimit, si një organ i përkohshëm kolegjial që do të drejtonte partinë në zgjedhje.

Një javë më vonë, Lulzim Basha, i dha përgjigjen e parë Sali Berishës duke mbledhur Kuvendin e tij Kombëtar dhe njoftoi se përveç largimit nga grupi, lideri historik nuk mund të ishte më as demokrat i thjeshtë si anëtar i partisë.

Paralelisht, Komisioni i Rithemelimit zhvilloi referendumin duke ratifikuar vendimin e Kuvendit Kombëtar dhe Lulzim Basha u shkarkuar nga posti i kryetarit.

Komisioni i Rithemelimit kërkoi nisjen e punës, por pengesë u bë mungesa e zyrave, ndaj kërkuan marrjen e selisë. 8 Janari i 2022 do mbahet mend gjatë për demokratët, pasi lufta e fjalëve përshkallëzoi në përballje fizike për marrjen e selisë.

Kjo tentativë e parë dështoi. Në një moment të vështirë për Berishën, oksigjen i solli Ilir Meta ng zyra e Presidentit të Republikës. Në 6 mars 2022, vendi shkoi në zgjedhje të pjesshme vendore, ku kandidatët e Rithemelimit arritën një rezultat më të mirë se përfaqësuesit e PD zyrtare. Pa vulë dhe logo partie, Berisha konfirmoi përmes votës se kë besonin demokratët.

Lulzim Basha priti më shumë se 2 javë dhe në 21 mars njoftoi publikisht dorëheqjen. Vetëm 4 ditë më vonë, Gjykatë e Shkallës së Parë me gjyqtar Agron Zhukrin njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021 dhe vendimet e tij. Në këto kushte mbështetësit e Bashës u detyruan të linin edhe selinë.

Aktiviteti i Rithemelimit vijoi në seli, ndërsa Sali Berisha priti zgjedhjet e 22 Majit për t’u shpallur zyrtarisht kryetar i Partisë Demokratike. Kryetar i zgjedhur dhe me selinë në duar, Sali Berisha nisi një betejë të re, njohjen nga organet e shtetit.

Zgjedhjet e 14 Majit 2023 ishin sfida e radhë, ku sa përballë Ilirjan Celibashit, KAS apo Kolegjit Zgjedhor, përfaqësuesit e Berishës kërkonin që të njiheshin si Parti Demokratike në zgjedhje. Përveç refuzimeve nga institucionet e shtetit, Rithemelimi mori goditje edhe nga vendimi i Gjykatës së Apelit në 3 Mars 2023, që rrëzoi vendimin e Zhukrit.

Pa vulë, logo, por me seli, Rithemelimi vijoi aktivitetin politik, ndërsa Lulzim Basha priti rezultatin e zgjedhjeve dhe më 29 Korrik u rikthye në poltronën që për një vit i kishte ruajtur i besuari i tij Enkelejd Alibeaj.

Tashmë të dyja palët kishin nga një vendim gjykate në duar, me të cilët trokitën në Gjykatën e Lartë. Një pritje e gjatë, por trupa më e lartë u tregua e ashpër me Apelin që favorizoi Bashën, duke njohur si korrekt shkallën e parë të gjyqtarit Zhukri.

Vendimi i dytë i Apelit, këtë të martë, dukej më shumë si zyrtarizim i vendimit të diktuar nga Gjykata e Lartë, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen politike të Lulzim Bashës.

/a.r

#Nga #Salianji #në #dorë #tek #oksigjeni #Metës #Odiseja #3vjeçare #mes #Berishës #Bashës
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button