Aktualitet

Prokuroria demanton lajmin se është rihapur grupi “Albkings”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka demantuar lajmin se është rihapur grupi “Albkings”.

“Përmes këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh vërtetësinë e lajmit para se të plasohet në opinionin publik, pasi lajme të tilla të pavërteta cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve tonë dhe kanë për qëllim ndikimi në imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka siguruar se janë në monitorim të kësaj çështjeje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do t’i ndërmerre masat e nevojshme.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka njoftuar dje se janë arrestuar gjithsej shtatë persona deri më tani për rastin “Albkings”.

Ai ka thënë se bashkë me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë veprimet për të zbuluar personat e përfshirë në këtë rast dhe më pas edhe janë arrestuar.

Gashi ka thënë se ky rast ka qenë delikat teksa shtoi se ende janë në fazën e hetimeve.

“Kjo konferencë është organizuar që të informojmë opinionin lidhur me rastin Albkings. Ju njoftojmë se kemi arritur me sukses të gjurmojmë, zbulojmë dhe të arrestojmë të gjithë kryerësit e veprës penale të vjedhjes së identitetit. Andaj, falë bashkëpunimit me qytetarët kemi arritur që këtë rast delikat t’i arrestojmë brenda një afati të shkurtër kohor”, ka njoftuar ai.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur mbylljen e grupit “Albkings” dhe arrestimin e shtatë personave të përfshirë në këtë rast.

Haxhiu ka thënë se rasti “Albkings” mund të jetë një lajm i pasdites apo mbrëmjeve, por për viktimat do të mbetet plagë dhe traumë jetësore.

“Mirëpres angazhimin institucional të policisë dhe prokurorisë në mbylljen dhe arrestimin e personave që administronin grupin famëkeq të telegramit “Albkings”. “Albkings” mund të jetë një lajm i pasdites apo mbrëmjeve, por për shumë vajza dhe gra, viktima të këtij grupi do të mbetet plagë dhe traumë jetësore”, ka shkruar Haxhiu.



#Prokuroria #demanton #lajmin #është #rihapur #grupi #Albkings
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button