Ancelotti barazohet me Ferguson si trajneri me më shumë ndeshje në Champions League

Carlo Ancelotti ka arritur një tjetër moment historik në Ligën e Kampionëve. Italiani është barazuar me Alex Ferguson si trajner, që ka drejtuar më shumë ndeshje në historinë e kompeticionit elitar të klubeve europiane, në formatin aktual.
Pas ndeshjes së parë gjysmëfinale kundër Manchester City në “Santiago Bernabéu”, e cila përfundoi me barazimin 1-1, të dy trajnerët në fjalë u barazuan me nga 190 ndeshje.
Në rrugën e tij drejt këtij “stacioni”, që për momentin e bashkëndan me legjendarin skocez, Ancelotti ka drejtuar tetë skuadra në Champions League: Parma (6 ndeshje), Juventus (10), Milan (73), Chelsea (18), PSG (10), Bayern Munich (12), Napoli (12) dhe Real Madrid (49).
Trajneri italian i Real Madridit, gjithashtu ka fituar më shumë ndeshje se çdo tjetër që nga krijimi i këtij formati të Champions League në sezonin 1992-1993. Ancelotti ka marrë 107 fitore, duke eklipsuar 102 fitoret e Fergusonit.
Italiani është gjithashtu trajneri i vetëm që ka fituar Kupën Evropiane (Champions-in) në katër raste (dy herë me Real Madridin dhe dy herë me Milanin).