Aktualitet

Berisha punëson lobues “pro bono” në Uashington

Nga Gjergj Erebara 

Birn

Ish-kryeministri Sali Berisha lidhi një kontratë lobimi me kompaninë Prime Policy Group për të advokuar për llogari të tij pranë qeverisë amerikane në Uashington, një shërbim që kompania pranoi ta kryejë “pro bono”, pra, pa pagesë.

Berisha, i cili u emërtua si “person i përfshirë në korrupsion madhor” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021, vendim që përfshin ndalimin e hyrjes së tij dhe të familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, pretendon se është viktimë e lobimit në SHBA të kundërshtarit të tij politik Edi Rama.

Prime Policy Group është një kompani e madhe lobimi me dhjetëra klientë dhe prezanton si kartë të fortë të vetën aftësinë për të punuar me të dy krahët e politikës amerikane, Republikanët dhe Demokratët.

Gjithsesi, problemi kryesor i Berishës, emërtimi nga Departamenti i Shtetit, gjë që në Tiranë është bërë togfjalësh politik “non grata”, duket se nuk preket drejtpërsëdrejti në kontratën e lobimit.

Sipas kontratës, shërbimi konsiston në: “advokimin për këndvështrimet e klientit mbi marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe problemet rajonale në Ballkan.”

Disa zyrtarë dhe politikanë shqiptarë janë emërtuar “të përfshirë në korrupsion madhor” nga Departamenti Amerikan i Shtetit si dhe nga Departamenti Amerikan i Thesarit, si pjesë e politikës së SHBA-së për të ndihmuar luftën kundër korrupsionit në botë.

Ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla mori një dekoratë të tillë në vitin 2018. Ai shpenzoi dhjetë mijë dollarë më vonë për një kompani ligjore në SHBA në përpjekje për të luftuar emërtimin.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako pasoi në vitin 2019.

Politikani nga Shkodra Tom Doshi, aktualisht drejtues i Partisë Socialdemokrate dhe një mbështetës i hapur i socialistëve të kryeministrit Edi Rama, u sanksionua në vitin 2018 ndërsa në prill të vitit 2022, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara emërtoi dhe sanksionoi biznesmenin politikan nga Elbasani Aqif Rakipi për korrupsion dhe përfshirje në struktura të krimit të organizuar në Elbasan dhe në Tiranë.

Pasi u “emërtua” nga Departamenti i Shtetit, Berisha u rikthye në politikë aktive dhe aktualisht është drejtuesi de-facto i grupimit kryesor opozitar që garon në zgjedhjet për pushtetin vendor të 14 majit.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë një fushatë personale, duke i kërkuar qytetarëve të mos votojnë opozitën pikërisht për shkak se Berisha është shpallur i padëshirueshëm nga amerikanët, por ndërkohë, kjo nuk e ka ndaluar Tom Doshin të shprehë mbështetjen e tij të hapur për socialistët ndërsa së paku një kandidat socialist për zgjedhje është shfaqur duke shtruar iftar elektoral krahas Doshit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button