Vjosa Osmani dekoron ish-pjesëtarin e brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Bider me Urdhrin “Hero i Kosovës”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, italiano-hebre, Francesco Guiseppe Bider.
Ky dekorim u dha me motivacionin për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.
“Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes’2024”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar dje me Urdhërin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Guiseppe Bider, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës”, thuhet në postimin e presidencës.
Osmani, Urdhrin ia dorëzoi, vëllait të heroit, Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares.
E para e vendit theksoi se Bider besoi në lirinë e popullit dhe të ardhmen e fëmijëve të Kosovës.
“Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të Millosheviqit që e shtyu Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes.
#Vjosa #Osmani #dekoron #ishpjesëtarin #brigadës #Agim #Ramadani #Francesco #Bider #Urdhrin #Hero #Kosovës
gazetablic.com