Telefoni i bllokuar nga SPAK/ Kryemadhi e çon çështjen në Gjykatën e Lartë, Meta: Nuk mbaj përgjegjësi
Ish-drejtuesja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i kërkon Gjykatës së Lartë të lirojë nga sekuestroja një telefonin celular, të bllokuar nga SPAK, për llogari të hetimit të kallëzimeve ndaj saj në këtë strukturë.
Aparati celular i llojit “iPhone” i është sekuestruar një personi të afërt të Kryemadhit, ndërsa dyshohet nga SPAK se përdorej prej saj.
Përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë deputetja ka kundërshtuar vendimet e Shkallës së Parë dhe Apelit të Posaçme, që nuk liruan nga sekuestroja këtë aparat telefonik.
Në një dalje publike nga selia e Partisë së Lirës, bashkëshorti i Kryemadhit, ish-presidenti Ilir Meta, po ashtu i kallëzuar në SPAK, nuk foli për rekursin, por përjashtoi veten nga çdo paligjshmëri.
“Nuk mbaj përgjegjësi, tani, se dikur thosha që mbaja për vajzën më të vogël, se nuk i kishte bërë 18 vjeç, por tani është 19. Nuk mbaj përgjegjësi për asnjë njeri, për çdo sjellje në raport me ligjin. Ajo që dua t’ju siguroj juve dhe gjithë shqiptarëve është, që sjellja ime në raport me ligjin, në raport me Kushtetutën, ka qenë gjithmonë perfekte.”
Aktualisht, SPAK është duke hetuar dy kallëzime të bëra ndaj bashkëshortëve Meta-Kryemadhi nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka pretenduar “korrupsion” e “fshehje pasurie” dhe një tjetër nga avokati Idajet Beqiri, i cili pretendon se bashkëshortët kanë kryer shpenzime të pajustifikuara në burime të ligjshme për shërbime estetike.
/f.s
#Telefoni #bllokuar #nga #SPAK #Kryemadhi #çon #çështjen #në #Gjykatën #Lartë #Meta #Nuk #mbaj #përgjegjësi
Java News