Aktualitet

Punonjësit e AMP trajnohen nga ICITAP, Balla: Kemi kapur shefa Komisariati me “presh në duar”

I Ngarkuari me Punë David Wisner, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore (AMP) Florian Sulejmani, uruan 18 oficerë policie, të cilët përfunduan një kurs trajnimi të specializuar mbi inspektimet mbikqyrëse, siç kërkohet nga Ligji i AMP i vendosur në 2020-tën.

Trajnimi, drejtuar nga Programi Ndërkombëtar i Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP) i Departamentit të Drejtësisë së SHBA në dy muajt e fundit, u përqendrua tek “të nxënit në situata reale” për të arritur rezultate në vendin e punës. Pjesëmarrësit u trajnuan mbi teorinë dhe praktikën e një procesi inspektimi me tre faza, përfshirë krijimin e protokolleve, planifikimin dhe udhëheqjen e inspektimeve në terren, përmirësimin e analizimit të të dhënave dhe shprehi për raportimin.

Kursi përfshiu plotësimin e tre inspektimeve për Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, ku secila përqendrohej në një nga 18 fushat funksionale sipas Ligjit të AMP-së. Inspektimet çuan në raporte të bazuara në prova, me rekomandime për rritjen e performancës.

Po ashtu ministri Balla kërkoi nga AMP-ja të ngrejë stekën në goditjen e korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, duke tejkaluar nivelin e derisotëm të shefave të Komisariatit.

“Kur erdha në korrik ju pyeta për Drejtorë dhe Shefa Komisariatesh të proceduar nga ana juaj. Më vjen mirë që në këto muaj kemi patur shefa Komisariati apo shefa Sektori të Policisë së Shtetit të kapur me presh në duar, por duhen edhe më shumë rezultate, edhe në nivele më të larta”, deklaroi ministri.

Balla evidentoi gjithashtu se AMP ka 50% më shumë referime në këto 7 muaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me pothuaj 2 herë më shumë punonjës policie të referuar, 257, ndër ta 78 punonjës të arrestuar apo me masa sigurie.

“Edhe kjo është domethënëse. Por duhen më shumë rezultate. Kalojeni pragun e shefave të komisariateve,” – theksoi Balla në fjalën e tij

Në lidhje me punën e AMP, Balla tha se “keni gjithë mbështetjen, që kjo strukturë civile dhe inteligjente të kontrollojë veprimtarinë e plotë në përputhje me ligjin dhe Kodin Etik të Policisë, Gardës dhe Shërbimit zjarrfikës. Do bëj gjithçka që t’ju mundësojmë trajtimin e duhur financiar dhe t’ju përfshijmë në programet mbështetëse, si ai kredive të shtëpive”.

Ai shprehu mirënjohjen për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, agjencitë e saj, Ambasadën në Tiranë, duke nënvizuar asistencën e vazhdueshme të programit ICITAP në Shqipëri, në fuqizimin, modernizimin dhe në konsolidimin e kapaciteteve hetimore të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, – nënvizoi në fjalën e tij Balla, – u ngrit më shumë se 30 muaj më parë me një ligj të punuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë, e në Parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar”, tha ministri./m.j

#Punonjësit #AMP #trajnohen #nga #ICITAP #Balla #Kemi #kapur #shefa #Komisariati #presh #në #duar
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button