Punësimi i detyruar për mjekët e rinj, zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka dhënë ditën e sotme vendimin lidhur me udhëzimin e qeverisë për punësimin e detyruar të mjekëve të rinj të dalë nga Fakulteti i Mjekësisë për një periudhë disa-vjeçare.
Gjykata Kushtetuese më 25 janar vendosi rrëzimin e pjesshëm të nismës së qeverisë për ligjin e studentëvë të mjekësisë.
Specifikisht, më 25 Janar u shfuqizua detyrimi për punësimin e detyruar në vend për pesë, tre dhe dy vite.
Parlamenti miratoi më 21 Korrik të vitit që lamë pas projektligjin e qeverisë që do i detyronte studentët e mjekësisë në Shqipëri të punonin në vend të paktën për pesë vite, duke u mbajtur atyre diplomën pas përfundimit të studimeve.
Ligji në fjalë u prit me protesta të shumta nga studentët e Universitetit të Mjekësisë, të cilët e paditën atë në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës.
Në njoftimin e gjykatës theksohet se edhe pse kufizimi është vendosur për interes publik të garantimit të kujdesit shëndetësor, ky kufizim nuk është proporcional me afatet e shlyerjes së detyrimeve për punësim.
Gjykata i caktoi Kuvendit detyrimin për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore brenda tre muajve pas këtij vendimi.
/f.s
#Punësimi #detyruar #për #mjekët #rinj #zbardhet #vendimi #plotë #Gjykatës #Kushtetuese
Java News