Olsi Rama komenton triumfin e Partizanit: Kam shumë besim te ky ekip
Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, komentoi triumfin 2-1 që Partizani arriti me përmbysje në derbin ndaj Tiranës. Në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes për mikrofonin e “MCN”, Rama ndër të tjera u shpreh:
“I kënaqur, është bukur të fitosh në derbi, prisja më shumë tifozë në derbi. Cara e kishte marrë seriozisht, sepse ishte qethur, ishte zbukuruar. Mua si drejtor më duhen edhe këto ndeshjet e vogla, se edhe ato 3 pikë janë.
Kishte diferenca në fushë. Pashë një ekip që diti të luante, të kontrollonte, por edhe të vuante, në momentin e shtyllës së Lushkjas. Mund ta mbyllnim ndeshjen edhe më shpejt.
Klasifikimi tregon që Egnatia është përpara, kjo të lejon të shprehesh më mirë. Besoj që formula e këtij kampionati të jep mundësinë që të rritesh. Me ndërrimin e trajnerit kemi filluar rrugëtim të ri. Duhet t’i japim kohë që ekipi të asimilojë idetë e veta.
Sot pavarësisht se kishim 2 mungesa, na dukej sikur kishim shumë lojtarë. Kam shumë besim te ky ekip. Çështja është se edhe ata duhet të besojnë se janë kampionët e vërtetë, në çdo ndeshje duhet të japin maksimumin.
Në këtë moment duhet të shikosh edhe rezultatin edhe përmirësimet në lojës. Në qoftë se do kthehem në javët e mëparshme, kjo ishte shumë më e mirë, lojtarët kanë filluar të gjenden më mirë me njëri-tjetrin.
Shpresoj që të rritemi, lojtarët të gjejnë gjendjen fizike që duhet. Hadroji akoma nuk është ai që ishte para 1 viti. Gjithë lojtarët duhet të vijnë në formën optimale. Egnatia i ka pasur lojtarët në gjendje më të mirë fizike.
Vllaznia ka një rritje, nuk e shikoj Tiranën në gjendje optimale. Jam kurioz të shoh Dinamon, mund të ketë surpriza, nuk e shikoj të mbyllur me këto 4 skuadra”, u shpreh Olsi Rama.
#Olsi #Rama #komenton #triumfin #Partizanit #Kam #shumë #besim #ekip
Java News