Aktualitet

NATO i tregon “dhëmbët” Rusisë nga Kuçova, Peleshi: Më 4 mars, hapim bazën, do demonstrojmë forcën me avionë luftarakë

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në një lidhje për “Ditarin” e A2CNN, nga Ministeriali i NATO-s në Bruksel i ka dhënë përgjigje disa pyetjeve që lidhen me sfidat e sigurisë së aleancës, e cila është tronditur nga deklarata kërcënuese e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Peleshi zbuloi se Shqipëria është në listën e 2/3 të anëtarëve të NATO-s që ka përmbushur angazhimin me vendosjen e 2% të GDP-së në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ai shtoi se vendi ynë ka në plan blerjen e 4 helikopterëve të tjerë “Black Hawk” dhe ngritjen e sistemit antidron për të ruajtur sigurinë e infrastrukturës ushtarake dhe civile, por edhe krijimin e sistemit të mbrojtjes kundërajrore me ndihmën amerikane.

Peleshi zbuloi se më 4 mars në bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë gjatë inaugurimit do të ketë edhe një demonstrim force nga ana e vendeve aleate, duke përdorur avionë luftarakë.

Sipas ministrit të Mbrojtjes gjatë punimeve të Ministerialit në Bruksel është është ngritur nga një grup vendesh të NATO-s shqetësimi për shpenzimet e frikshme të Serbisë për armatim dhe kontratat që Aleksandër Vuçic ka lidhur me Vladimir Putin dhe Xi Jiping, për blerjen e pajisjeve ushtarake.

Sot është dita e dytë në Bruksel. Dje kishim takimin e koalicionit për Ukrainën i udhëhequr nga SHBA-ja. Sot ka nisur ministeriali i planifikuar. Një nga çështjet që është diskutuar është angazhimi për buxhetin, 2% i GDP. Shqipëria është një nga 2/3 e vendeve anëtarë të NATO-s që kanë arritur me buxhetin e këtij viti 2% e GDP-së. Ky nuk është thjesht një numër, por dysheme, minimum i domosdoshëm për t’u ngritur në nivelin që e kërkon sot koha, kapacitetet dhe aftësitë për mbrojtjen kombëtare dhe kolektive bazuar tek Artikulli 5 i NATO-s.

A ka shqetësim mes vendeve të NATO-s, edhe me bisedat që ju keni ndarë me homologët tuaj për një skenar të largimit të Amerikës nga NATO, meqenëse po diskutohet shumë sidomos pas deklaratës së ish-Presidentit Trump?

Ka pasur një unitet nga të gjithë aleatët, i palëkundur. Nuk ka lëvizje nga linja zyrtare e çdo aleati në NATO. E kundërta është e vërtetë. Këtu flitet për mobilitet ushtarak të shtuar. Në këtë pikë dua të theksoj një takim që sapo përmbyllëm me ministrat e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ku diskutuam për hapat e mëtejshme drejt lobingut për “Korridorin 8”. Korridori 8 është një korridor tashmë edhe sigurie, jo vetëm konektiviteti. Ne e lidhim me projektin që kemi dorëzuar në NATO për portin ushtarak të Porto Romanos. Po shtojmë përpjekjet për të investuar një mobilitet më të mirë në krahun lindor. Krahu lindor është krahu më i kërcënuar i NATO-s. Ky korridor përfundon në Detin e Zi, që është pika ku grumbullohet tensioni më i madh pas agresionit rus në Ukrainë. Nuk ka lëvizje nga qëndrimet, përkundrazi ka bashkëpunim për nivel më të lartë të mbrojtjes kolektive.

Duket sikur lufta Rusi-Ukrainë, por edhe lufta në Rripin e Gazës e ka futur botën në një rend të ri, aq sa ne po armatosemi. Të paktën po pajisemi me mjete moderne. Raketa “Javelin”, helikopterë “Black Hawk”, dronë “Bayraktar”. Për çfarë po përgatitemi zoti ministër dhe a pritet të marrim edhe armatime të tjera më të rënda. Nëse po, çfarë konkretisht?

NATO është një aleancë jo ofensive por difensive. Por gjithsesi mbrojtja, politika difensive e NATO-s realizohet përmes shkurajimit, ajo që quhet deterenca. Çka do të thotë modernizimi dhe shtimi i kapaciteteve ushtarake të gjitha vendeve të NATO-s synon të shkurajojë fuqitë e tjera destruktive që vijnë nga Lindja, ose konflikte të mundshme qoftë në rajonin tonë, kryesisht në krahun Lindor të NATO-s mund të ndodhin. Sapo kemi filluar të ndërtojmë flotën e helikopterëve Black Hawk. Dy tashmë janë në Shqipëri, po punojmë për të arritur në 6, në afatmesëm. Do të vijnë dronët Bayraktar për pak javë. Në 4 mars kemi inaugurimin, ditën e hapjes së bazës ajrore taktike të NATO-s në Shqipëri, në Ballkanin Perëndimor që ndodhet në Kuçovë. Aty do të kemi edhe avionë luftarak nga vendet aleate të NATO-s që do të bëjnë një demonstrim. Le ta quajmë dhe demonstrim force, nuk ka vend për ta fshehur, pasi bota nuk është më normale dhe nuk dihet kur do të rikthehet në normalitetin që ka qenë dikur. Ne do të përgatitemi për më të keqen, por do të shpresojmë për më të mirën. Jo vetëm do të shpresojmë por do ta shkurajojmë të keqen.

Cili është për momentin rreziku më i madh i sigurisë në rajonin tonë zoti Peleshi? A ka një rrezik real?

Pikat e nxehta të Ballkanit Perëndimor janë Veriu i Kosovës dhe politikat separatiste të Republika Srpska. Një kërcënim vjen nga Serbia dhe tjetra nga Republika Srpska. Këto janë influenca të Rusisë në rajonin tonë që duhet të dekurajohen. Ne e ndjekim me shqetësim dhe disa vende kanë ngritur në ministerialin e NATO-s çështjen e militarizimit të shpejtë të Serbisë që nuk bëhet pa një qëllim, të mos jemi naiv. Natyrisht që mbi 1 miliardë dollarë buxhet për mbrojtjen dhe porositë e fundit nga Rusia e Kina, e kapaciteteve ushtarake nga ana e Serbisë shihen me shqetësim dhe duhen shkurajuar përmes fuqizimit të prezencës së NATO-s në rajon. KFOR-i është këmba e NATO-s aty që duhet ta fuqizojmë. Në Bosnjë është misioni i BE-së, Altea. Do të dërgojmë së shpejti një togë në Bosnje. Kemi dërguar gjithashtu një togë në Bullgari për të forcuar krahun lindor. Gjithashtu, do të dërgojmë në Rumani një kompani me 100 ushtarë sapo të na hapet drita jeshile. Pra këto janë konfliktet. Ka një garanci shumë të madhe që është prezenca e NATO-s. Kosova ka NATO-n prezente këmbëkryq dhe të gatshme për çdo agresion që mund të vijë nga Veriu. Ne planifikojmë të ngremë sisteme të reja që nuk i kemi pasur më parë. Duke filluar nga ky vit do të implementojmë sistemin e mbrojtjes antidron, jo vetëm për infrastrukturën ushtarake, por edhe civile, porte, aeroporte, hidrocentrale. Dhe po punojmë me SHBA-në për të kompletuar mbrojtjen kundërajrore. Nuk bëhet fjalë për një kërcënim me probabilitet të lartë për Shqipërinë, ne jemi një aleat i NATO-s dhe askush nuk mund të guxojë të prekë 1 metër katrorë të Shqipërisë. NATO është gati të mbrojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Po flitet gjithmonë e më shumë për rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Po mendohet apo është menduar ndonjëherë, gjatë këtyre dy viteve luftë rikthimi i tij edhe në vendin tonë?

Ka një hap tjetër para se të shkojmë në hapjen e këtij diskutimi, që është forca rezerviste. Përveç ushtrisë profesioniste që kemi ne na mungon një forcë rezerviste që na mungon tani. Një forcë rezerviste që na mungon tani. Kemi hartuar një ligj që do të miratohet shumë shpejt në qeveri dhe parlament për krijimin e forcës rezerviste. Duke filluar nga vjeshta e këtij viti do të kemi kontingjentin e parë të forcës rezerviste që e mendojmë në Elbasan. Më pas, ky numër do të shkojë deri në 2 mijë apo 2200, maksimumi i parashikuar. Forca rezerviste mbi baza vullnetare, trupa të shtuar për 2 apo 4 javë, aty ku parashikohet në domeine të ndryshme./m.j

#NATO #tregon #dhëmbët #Rusisë #nga #Kuçova #Peleshi #Më #mars #hapim #bazën #demonstrojmë #forcën #avionë #luftarakë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button