Aktualitet

Po ndahen postet e ministrave…

Nga Artur Ajazi

Bashkimi de facto mes dy grupimeve brenda Foltore-Rithemelimit dhe Gaz Bardhit, duket se ka sjellë “nxitim” tek miqtë e rinj dhe të vjetër. Ka qenë qysh herët ky problem tek Partia Demokratike, në 1998, në 2001, në 2005, në 2017, në 2013,dhe do të jetë gjithmonë. Ndahen postet e ministrave, ndahen sipas klaneve, sipas miqve të Doktorit, Mulit, Mondit, Zenit, etj…Edhe bashkimi më i fundit (i cili nuk duket si definitiv) ka sjellë “thashethushet” korridoreve dhe zyrave të selisë blu. Kanë nisur të thonë “Rama ikën, ne u bashkuam, do të kemi koalicione të fuqishme, do të kemi shumicën e ministrave”.

Dhe emrat nuk kanë munguar të dalin. Dalin ata që kanë qenë në stadiume me Doktorin, ata që ishin ditën kur plasi “huri” në marrjen e selisë nga Basha tek Berisha, dalin ata që mbajnë më shumë fjalime në rrugicë, apo dhe ata që e përshëndesin Doktorin nga poshtë-lart me dy gishta. Janë “dehur” qysh ditën e parë të bashkimit. Më ngjasojnë me Mukjen, ku u takuan PKSH-ja dhe Balli Kombetar. Doli proklamata e bashkimit, dhe pas 24 orësh, vetë kreu i PKSH, prishi “marrëveshjen” e arritur. Por me një ndryshim të vockël. Berisha nuk ka fuqi dhe interes të prishë asnjë marrëveshje, deri ditën që do të dalë nga “arresti shtepiak”.

Dhe deri atëhere, ai do ti joshë të gjithë me poste ministrash, drejtoresh doganash, tatimesh, drejtoresh policie, deputetësh, sepse po u thotë se “Rama do të bjerë në 20 Shkurt, fitorja është me ne”. Dhe për ti mbajtur me gajret, po i mëshon fort në fjalimet e tij “intervistës së Arben Ahmetajt, “skandalit” me MC Gonigal, incereratorëve, largimit të shqiptareve”, madje po u thotë protestuesve poshtë ballkonit se “Blinken po vjen për ti thënë Ramës, ik vetë mos të largojmë ne”. Më gallatë nuk ka. Më zeropolitikë nga kjo opozitë nuk ka. Gjithmonë partia e Berishës, (edhe Basha ka të njëjtin zakon) ka dashur ti bëjë listat e deputeteve dhe ministrave, qysh vitin e parë që ikte nga pushteti.

Por kjo e kësaj here, kur bashkimi de facto, nuk ka mbushur javën, mbetet unikale. U duket sikur, ardhja e njerëzve të Gaz Bardhit, do t’ju marrë postet, do ti lërë berishistët në hije, por interesi kryesor për momentin është afrimi i tyre, për të qenë bashkë në zgjedhjet e reja. Natyrisht, bashkimi me Gazin, nuk ka gjasa të shkojë “vaj” deri në fund. Pritet të lindin peripecira, pakënaqesira, xhelozira, që mund të shkaktojnë debate dhe sherre. Zërat për ndarje postesh, (a thua se fituan zgjedhjet) pa u përfunduar de jure bashkimi, tregojnë se “malorja” e fortë sapo ka nisur. Kurse shpresa se “mund ta rrëzojnë Ramën me bashkimin me Gaz Bardhin”, mbetet estrada më veçantë që kemi dëgjuar qysh nga koha e krijimit të Rithemelimit.

#ndahen #postet #ministrave..
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button