Aktualitet

Amerikanët i vënë “kryqin” Ramës, ja si Escobar i dërgoi mesazhe “vdekjeprurëse” kryeministrit për prishjen e raporteve me SHBA dhe kërcënimi me hetimet për “McGonigal” nga drejtësia amerikane, zbulohet pse u censurua pyetja për Metën

Unë nuk mund të flas për një çështje të hapur penale, si rasti i ‘McGonigal’. Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është me popullin e Shqipërisë, me institucionet, jo me një parti dhe jo me një individ. Thënë kështu, do të thoja se marrëdhënia jonë me Shqipërinë është më e mira që kemi pasur ndonjëherë”, u shpreh njeriu më i rëndësishëm që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka sjellë për Ballkanin, jo nga pozicioni që i është caktuar, por nga zgjidhjet e shpejta, vendimtare dhe deklaratat e tijtë bujshme si asnjë tjetër diplomat amerikan. Pra i dërguari i DASH, Gabriel Escobar konfirmoi hapur atë që gazeta “SOT” ka muaj që e shkruan, se raportet e SHBA me kryeministrin Rama janë prishur. Zyrtari i lartë amerikan për herë të parë spostoi Ramën. Ai tha se SHBA i ka raportet me shqiptarët dhe jo me individët, duke ja bërë të qartë Ramës dhe kujtdo tjetër se ata janë të zëvendësueshëm. Ftohja u pa që në takimin që Escobar pati me Ramën. Ai i shkoi në zyrë për më pak se 20 minuta, ndërsa gjithë takimet e tjera me Begajn, Alibeajn apo Metën zgjatën mbi 40 minuta. Pra takimi i Gabriel Esocbar me kryeministrin Edi Rama tregon fundin e mbështetjes së SHBA ndaj tij. Amerikanët nuk pyesin për emra dhe në situatën në të cilën ndodhet kryeministri Rama, fati i Gruevskit dhe Sanaderit mund t’i duken si dhuratë e rënë nga qielli. U bënë 10 dhjetë vjet që Rama drejton Shqipërinë. 10 vjet të mbushura me skandale dhe afera të rënda. Duke qenë se kohët e fundit ka dalë kundër SHBA dhe BE, ai tashmë është vënë në syrin e “ciklonit” për linjën pro-ruse, serbe dhe turke që po ndjek. Ajo që i vuri vulën, ose ndryshe mund të jetë fillimi, ishin takimet e shpeshta të një kryeministri me ish-zyrtarin e FBI që nuk ka asnjë lidhje me politikën shqiptare, ekzekutivin apo me çfarëdolloj institucioni që i përket këtij shteti. Këto takime janë një pikë e errët për një personazh që drejton shtetin shqiptar, i cili e fut drejtimin e shtetit në hulli spiunësh, personazhesh të dyshimtë apo dhe pazaresh të rëndomta. Rënia e tij mund të vijë papritur, pasi duke parë shembullin kroat dhe rumun që po aplikohet në vendin tonë, drejtësia e re duke patur nga pas amerikanët kur vjen puna për kopsitjen e dosjes nuk pyet për emra.

Krisja e Ramës me amerikanëtPor si nisi gjithë kjo kthesë amerikane për Ramën, Marrëdhëniet midis kryeministrit shqiptar dhe shtetit amerikan janë prej një viti e gjysmë në nivelin më të ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë një kryeministër shqiptar në raport me të vetmin aleat strategjik që ka pasur kombi shqiptar në 30 vitet e fundit. Që pas 18 marsit të vitit 2022, kryeministri Rama ka qenë i pranishëm dy herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në të dy vizitat nuk është pritur si më parë dhe këtë gjë e tregojnë takimet e tij të mëparshme. Arritja e tij më e madhe në takimet e tij në SHBA ishte një medalje që mori nga një organizatë anonime për mikpritjen e afganëve. Prej një viti e gjysmë nuk ka takuar as portierin e Departamentit të Shtetit të SHBA, jo më ndonjë drejtor zyre apo burokrat të kësaj strukture. Dy sinjalet e fundit nga Escobar i vendosën vulën. Rasti McGonigal është një pjesë e vijës së kuqe, pasi prej kohësh kryeministri shqiptar ka sfiduar partnerët amerikanë. Nga momenti në moment gjithçka mund të plasë.

Ja zanafilla e sherrit të Ramës me SHBA

Krisja e kryeministrit Rama e ka zanafillën pas zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021. Si asnjëherë tjetër në 30 vite pluralizëm, Partia Socialiste dhe Edi Rama fituan mandatin e tretë. Kryeministri theu rregullin e pashkruar të qëndrimit në pushtet për dy mandate. Kreu i qeverisë “preu në besë” SHBA duke devijuar nga marrëveshja ku PS dhe PD pritet të shkonin drejt bashkëqeverisjes pas 25 prillit të vitit 2021, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi Rama “e drodhi” gjatë rrugës. Gazeta “SOT” e ka theksuar edhe më parë disa herë se ky skenar kishte vite që diskutohej, por disa ditë para zgjedhjeve të 25 prillit amerikanët insistuan duke e kërkuar me ngulm një gjë të tillë. Me largimin e Berishës dhe Metës, amerikanët donin të hidhnin një hap të madh, duke sjellë diçka që nuk kishte ndodhur në 30 vite: bashkëqeverisje mes mazhorancës dhe opozitës. Muajt e parë pas zgjedhjeve të 25 prillit Rama nuk ndryshoi qëndrim dhe i shtriu Bashës dorën e bashkëpunimit duke qenë i hapur si për bashkëqeverisje, ashtu dhe për zgjedhje të reja vendore, për të zgjedhur presidentin dhe për të përmbyllur reformat, por rrugës ndodhi kthesa e madhe. Kryeministri Rama thyen paktin me amerikanët dhe fut në lojë sërish Sali Berishën.

Sulmet e Ramës ndaj Yuri Kim

Konflikti u thellua edhe më tej. Më 18 mars të vitit 2022, kryeministri Edi Rama e krahasoi ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, me një personazh nga e kaluara moniste, si sekretare e partisë, të cilët në memorien kombëtare kanë ngelur njerëzit më të egër të diktaturës së proletariatit. “Na vjen mirë që jemi të gjithë bashkë këtu. Më pëlqeu shumë ajo që tha rektori “ju garantojmë zonja ambasadore”. Më kujtoi kohën kur vinte sekretari i partisë dhe i thotë rektori i vjetër ju garantojmë shoku sekretar që ne do punojmë. Faleminderit shumë. Këto kisha unë. Rroftë miqësia shqiptare-afgane”, u shpreh Rama. Pra ky ishte momenti i parë ku kryeministri e nxori përplasjen e fshehtë me SHBA jashtë korridoreve. Ofensiva e Ramës kundër ambasadores Kim, nuk zgjati shumë, pasi disa ditë më vonë i është përgjigjur Uashingtoni. Ka qenë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili i dha një goditje të fortë shefit të qeverisë shqiptare. Të martën e 22 marsit të vitit 2022, diplomati Blinken publikoi një foto nga mbërritja e afganëve në SHBA, teksa me një postim në “Twitter” ka falënderuar ministren Xhaçka dhe popullin shqiptar për mikpritjen e tyre, por nuk përmendi fare qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Sulmet e Ramës ndaj DASH dhe Ambasadës Amerikane

Megjithatë nuk ndalet me kaq, pasi Rama sulmoi SHBA edhe më 13 prill të vitit 2022. Rama deklaroi se raporti i DASH është copy-paste i vitit më parë, ku sipas tij nuk figurojnë as arritjet që amerikanët i kanë thënë vetë gjatë vitit që kaloi. Ndërkohë shefi i qeverisë ka sulmuar Yuri Kim edhe më 21 prill vitit 2022. Ai e akuzoi se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. “Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë. Caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë, kush ka vjedhur e kush…merrni raportin e DASH sikur e keni nxjerrë ju! Ë! Është qesharake. Flisni sikur keni imunitet diplomatik nga ambasada amerikane. Gënjeni veten që të jeni shumë të qartë”.

Pse u censurua pyetja për Metën?

Nga ana tjetër në intervistën e Escobar vihet re që nuk pati asnjë pyetje për ish-presidentin Ilir Meta. Madje moderatorja e emisionit Grida Duma dha justifikimin se harroi ta pyeste. Por çfarë fshihet pas gjithë kësaj? Pyetja për Metën me siguri të plotë është censuruar. SHBA i ka bërë të qarta ultimatumet për Metën. Çdo gjë u pasqyrua më hapur se kurrë gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, ku Ilir Meta, megjithëse në rolin e presidentit të vendit, me një gjuhë të paprecedentë sulmoi asokohe ambasadoren amerikane Yuri Kim, ku i kërkonte që mos të ndërhynte në zgjedhjet parlamentare. Vetë diplomatja amerikane dënoi gjuhën e ashpër të Ilir Metës, gjatë fushatës elektorale, ku ish-kreu i shteti u bënte thirrje qytetarëve, që të mprehin sfurqet e sëpatat që të mbrojnë votën. Yuri Kim dënoi ashpër fjalorin e Metës, duke e shigjetuar drejtpërdrejt kreun e shtetit dhe duke i thënë se thirrjet e tij për mprehje të sfurqeve dhe sëpatave janë të papranueshme dhe të dënueshme dhe se për këtë duhet të mbajë përgjegjësi.

Koaliconi i “non gratave”

Ultimatumet e qarta amerikane janë dhënë që në momentin kur Meta “aktivizoi” sërish Berishën me ngritjen një koalicioni me pretendimin për të hyrë në zgjedhje, por që në fakt e gjitha kjo është një lëvizje antiamerikane ku janë bashkuar të gjithë ish- ministrat dhe zyrtarët e korruptuar, nga frika e veprimit të SPAK. Ndryshe koalicioni që ata kanë krijuar për të hyrë në zgjedhjet e 14 majit mund të quhet koalicioni i “non gratave”. Berisha-Meta janë bashkë kryesisht në luftën kundër SHBA-ve, ku janë të koordinuar dhe me një strategji të qartë sulmi. Duke e ditur të dy që janë ‘non grata’ në SHBA, e filluan sulmin ndaj partnerit tonë më të madh që herët, para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Plani i tyre kryesor ishte që të hidhnin “në erë” Reformën në Drejtësi. Lufta e tyre u intensifikua pas shpalljes së Sali Berishës “non grata” nga SHBA. Nga ana tjetër, Ilir Meta e ka nuhatur se do të hyjë në “listën e zezë” të SHBA njësoj si Sali Berisha. Ai e di që në letrat që ka DASH, aleati që SHBA thotë se zoti Berisha ka kryer korrupsion dhe ka ndaluar drejtësinë të bëjë punën e saj, është emri Ilir Meta. Pikërisht kjo frikë që kanë të dy, i ka tërbuar dhe nuk ndalojnë së kundërvëni ndaj SHBA-ve. Pra si përfundim intervista e Escobar pritet të sjellë lajme tronditëse për Metën nëse ndjek këtë linjë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button