Aktualitet

Në qeli, banesë apo seli? Çfarë ndodh me Berishën pasi Kuvendi i hapi rrugën SPAK-ut

Kuvendi i hapi rrugën sot SPAK-ut dhe GJKKO-së për të vepruar ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha përmes një votimi që mori 75 vota pro në mes të një kaosi brenda dhe jashtë godinës.

Menjëherë pas votimit dhe “zhveshjes” nga imuniteti, Berisha doli jashtë te mbështetësit e tij duke e cilësuar procedurën të paligjshme, ndërkohë që drejtësinë e re e la “në prehrin” e Ramës. Vizionplus.tv mëson se dy votat e tjera që iu bashkuan PS-së për heqjen e imunitetit të Berishës ishin ato të socialdemokratëve, Gertjan Deda dhe Gledis Çeliku.

Përballë një mase sigurie “arrest shtëpie” apo “arrest me burg”, Berisha shpalli një mobilizim kombëtar të demokratëve.

Por, çfarë ndodh tani? Si do të procedohet më tej?

Nisur nga eksperiencat e mëparshme, veprimet tani pritet të bëhen shumë shpejt. Menjëherë pas heqjes së imunitetit të Berishës, pritet që në Kuvend të mbërrijë një përfaqësues i SPAK për të marrë procedurën, të cilën e dërgon te prokurorët.

Këta të fundit bëjnë relacionin dhe shkojnë në GJKKO duke kërkuar të vendosë për një masë sigurie ndaj Berishës.

Prokurori i SPAK, Arben Kraja deklaroi më herët në Kuvend se do të kërkojnë masën e sigurisë “arrest shtëpie” deri në “arrest me burg” për Berishën nëse nuk respektohet e para.

Pasi të marrë relacionin nga SPAK, GJKKO do të japë një masë të re sigurie ndaj Berishës. Nuk dihet ende se çfarë mase sigurie do të marrë gjykatësja Irena Gjoka ndaj Berishës, por alternativat janë që të mbyllet në shtëpi ose në qeli.

Ku do ta kalojë masën e sigurisë Berisha?

Nëse masa do të jetë “arrest ne burg” nuk ka dilema në këtë drejtim, pasi duhet që oficerët e Policisë Gjyqësore ta ekzekutojnë masën pas marrjes së lejes nga Kuvendi, ndërkohë që procedura është më e gjatë nëse jepet  masë sigurie “arrest shtëpie”.

Por, rezultron se Berisha nuk ka shtëpi në pronësi të tij, e cila do të shërbente si adresë ku do të mbyllej në zbatim të masës së arrestit. Rrjedhimisht, pas nxjerrjes së vendimit nga GJKKO për masën e arrestit, Berisha duhet që të deklarojë një adresë që caktohet më pas nga gjykata si vendi ku do të qendrojë.

Sipas praktikës, pritet që e gjithë kjo procedurë të mbyllet brenda ditës së nesërme.

/a.r

#Në #qeli #banesë #apo #seli #Çfarë #ndodh #Berishën #pasi #Kuvendi #hapi #rrugën #SPAKut
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button