Aktualitet

“Epidemia” e shtëpive të barit në Angli, 100 shqiptarë të kapur dhe 130 mln £ kanabis i sekuestruar në 3 muaj

Gazeta britanike The Telegraph i ka dediakuar një artikull shterues fenomenit të ashtuquajturën “epidemia” e shtëpive të barit në Britaninë e Madhe, duke zbuluar se në vetëm 3 muaj, mbi 100 djem shqiptar të kapur brenda fermave të kanabisit janë burgosur në ishull.

Llogaritë tregojnë se policia ka sekuestruar kanabis me vlerë 130 milionë paund në aksionet ku këta emigrantë të paligjshëm janë arrestuar.

Ndërkohë sa i përket dënimit, të gjithë këta individë të rekrutuar nga bandat e krimit të organizuar për të rritur kanabis, së bashku janë ndëshkuar me 300 vite burg në total.

Tre të katërtat (77) nga 101 shqiptarët e dërguar pas hekurave midis gushtit dhe tetorit të këtij viti janë dënuar për prodhim kanabisi në Angli ose në Uells.

Ata janë ndaluar thuajse të gjithë gjatë operacionit të koduar “Mille” që çoi në shkatërrimin e dhjetëra “shtëpive të barit” dhe 180,000 bimëve kanabis, por edhe në goditjen e bandave të përfshira në vepra të tjera penale, si pastrimi i parave, kontrabanda e kokainës dhe drogave të rënda.

Telegraph raporton se shumë nga emigrantët e paligjshëm u rekrutuan nga bandat pasi qeveria britanike nisi një aksion ndaj punëve në të zezë, çka e bëri të vështirë që këta djem të gjenin një punë të ndershme.

Ministrat kanë trefishuar gjobat për pronarët që punësojnë emigrantë të paligjshëm deri në 60,000 £ për punëtor, duke lënë qindra të rinj shqiptarë “jashtë tregut” në punë si ndërtues, lavazhierë apo edhe kamerierë dhe kuzhinier.

Sakaq, në pesë vitet e fundit, bandat shqiptare kanë shtënë në dorë tregun e kanabisit me “kopshtarët” e rekrutuar nga vendlindja që kanë sjellë në ishull kulturën e tyre hidroponike, duke uzurpuar vietnamezët.

Numri i shqiptarëve që kaluan në vitin 2022 me gomone kanalin e “La Manshit” ishte 12,301 persona, që përbën më shumë se ¼ e emigrantëve që mbërritën në Britani.

Mes të burgosurve këtë verë ishte Nard Nidri, 34 vjeç, i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar verën e kaluar dhe jetoi në Birmingham. Ai më pas u transferua në Swansea ku punoi në një lavazh makinash përpara se të rekrutohej për t’u bërë kopshtar në një shtëpi bari.

Ai është një nga katër “kopshtarët” e burgosur për një total prej gjashtë vjetësh në gusht, pasi policia i arrestoi ata në një pronë në Neath, të Uellsit jugor, ku dy dhoma dhe papafingo ishin përshtatur dhe izoluar për të rritur kanabis.

Duke i dënuar ata, gjykatësi Geraint Walters tha se fermat e kanabisit që drejtohen nga bandat kriminale shqiptare kanë arritur “nivele epidemike duke u kthyer në një industri”.

Gjykatësi sugjeroi që autoritetet të kalojnë në “lupë” sektorin e banesave me qira.

Shqiptarë të tjerë nga 100 të mësipërmit kanë punuar për bandat, në mënyrë që t’u shlyejnë atyre borxhet, pasi përndryshe pretendojnë se u rrezikohet jeta.

20-vjeçari Artenis Shehu u burgos për një vit pasi punoi në një fermë kanabisi në Norfolk Broads, për të shlyer një borxh prej 2500 £ që i detyrohej një bande, e cila ka paguar një operacion mjekësor për babain e tij.

Gjykatësi Andrew Shaw i tha Shehut se shtëpia e barit ku ai është arrestuar mund të prodhonte kanabis me vlerë 225,000 £ dhe kjo tregon se kemi të bëjmë me një “organizim të sofistikuar kriminal”.

Bandat shqiptare kanë marrë në dorë tregtinë e kanabisit për shkak të rrezikut më të ulët dhe dënimeve minimale, por edhe prej konsumit në rritje, pasi britanikët shpenzuan 2.4 miliardë paund për të blerë 240 ton kanabis në total, në vitin 2021.

/a.r

#Epidemia #shtëpive #të #barit #në #Angli #shqiptarë #të #kapur #dhe #mln #kanabis #sekuestruar #në #muaj
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button