Aktualitet

Protesta për Palestinën kthehet kundër Ramës, policia bllokon marshimin

Disa qindra qytetarë u tubuan në sheshin Skënderbej në një protestë kundër bombardimeve të Izraelit në Gaza dhe vrasjes së mijëra civilëve të pafajshëm. Protesta ishte paqësore. Organizatorët kishin njoftuar që pas disa fjalimeve në shesh do të marshonin në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza” dhe për t’u rikthyer sërish.

Arsyet e tubimit, sipas njoftimit që iu dërgua policisë është mbështetja e paqes dhe lirisë së popullit palestinez. Organizatorët janë grupi mediatik “Mexhlis” dhe shoqatat “Ardhmëria”, “Thirrja në Mirësi”, “TUMED”, “Qendra për Kulturën Islame Evropiane” dhe “Ensar”.

“Në këtë tubim do të bëhet thirrje për ndalimin e luftës, ndalimin e masakrave, genocidit dhe spastrimit etnik që po bëhen ndaj popullit palestinez në Gaza” thuhet në njoftimin, që iu dërgua policisë.



Protesta është zhvilluar e qetë. Ashtu siç ishte paralajmëruar, disa prej të pranishmëve kanë mbajtur fjalime ku u shprehur solidariteti me popullin e Palestinës dhe është dënuar vrasja e civilëve në bombardime, që synojnë spastrimin etnik në Gaza.

Organizatori i tubimit, Floriar Arapi preku edhe qëndrimin që po mban shteti shqiptar.

“Shumë shtete perëndimore janë bërë palë me këtë kasaphanë duke e mbështetur apo furnizuar izraelin ushtarakisht. Ndër këto shtete që miratuan me heshtjen e tyre këtë kasaphanë është edhe qeveria e shtetit tonë” u shpreh Arapi.

Pas artikulimit të këtyre fjalëve nga qytetarët e mbledhur në tubim janë dëgjuar thirrjet “Turp! Turp! Turp!”.

Ndërkohë Floriar Arapi ka vazhduar: “Para pak ditësh qeveria jonë abstenoi një rezolutë të OKB-së ku kërkohej ndalimi i menjëhershëm i luftës dhe i kasaphanës. Që prej asaj dite, Edi Rama dhe qeveria e tij janë bërë pjesë e kasaphanës që po ndodh në Palestinë. Kërkojmë urgjentisht nga qeveria shqiptare dhe Edi Rama që të pastrojnë gjakun e fëmijëve palestinezë që kanë në duart e tyre. Të dënojnë ashpër genocidin, vrasjet e civilëve dhe fëmijëve të pafajshëm. Të dënojnë krimet e luftës dhe spastrimin etnik që po ndodh në Palestinë. Nëpërmjet ambasadores së Izraelit në Shqipëri i kërkojmë Izraelit të ndalojë luftën” tha Arapi, që vlerësoi pozicionin e Turqisë ndaj konfliktit në Gaza.

Deklaratat e tij janë shoqëruar me thirrjet nga qytetarët si “Turp” dhe “Krim”. Në vazhdim para besimtarëve , Arapi shënjestroi edhe Komunitetin Mysliman, duke e quajtur kupolën e tij drejtuese si “terroristë gylenistë”. ”

Dënojmë ashpër heshtjen e Komunitetit Mysliman ndaj masakrave që ndodhin në Gaza. Terroristët gylenistë sillen me dy standarte. Kur janë me besimtarët ata thonë se u vjen keq dhe janë me ta. U thonë se u vjen keq për popullin palestinez, por kur vjen për të mbajtur qëndrime publike ata nuk i dënojnë këta masakra” tha Arapi.

Edhe këto akuza u shoqëruan me thirrjet e protestuesve që nisin të thërrasin “Hipokritë! Hipokritë!”. Video e protestës është publikuar në rrjetet sociale nga organizatorët.

Gjatë kohës që zhvillohej protesta, një numër policësh kanë qëndruar në anën juglindore të sheshit Skënderbej, duke bllokuar rrugën që të nxjerr në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me të mbaruar fjalimet, qytetarët kanë shpalosur një pankartë ku shkruhej “Stop genocidin në Gaza” dhe janë nisur për marshimin e paralajmëruar.

Por policët nuk kanë lëvizur nga vendi duke u bllokuar rrugën. Për disa minuta, organizatorët e protestës janë përpjekur të negociojnë me policinë, pasi në njoftim ishte lajmëruar edhe marshimi drejt sheshit “Nënë Tereza”, por pa sukses.

Gjithsesi protestuesti janë shpërndarë në paqe duke anuluar marshimin në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Kjo është protesta e dytë që mbahet në Tiranë në mbështetje të Palestinës.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar në të gjithë botën, por në asnjë vend tjetër policia nuk ka ndaluar marshimin.

Pas sulmit të Hamasit në datën 7 Tetor, ku mbetën të vrarë qindra civilë izraelitë dhe shmë të tjerë u morën peng, politika shqiptare u solidarizua në unanimitet me Izralin.

Në fasadën e Universitetit Politeknik u projektua flamuri i Izraelit dhe kryeministri Rama e postoi foton në rrjetet sociale.

“Shqipëria mban anën e Izraelit. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave të sulmeve terroriste dhe me njerëzit e pafajshëm që u morën peng” shkruajti Rama.

Disa ditë më parë, qeveria shqiptare abstenoi në një rezolutë të OKB-së, në të cilën bëhej thirrje për ndalimin e masakrave në Palestinë. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara votuan kundër.

Vota abstenim e Shqipërisë u rendit mes 45 abstenimeve të tjera, ku bënin pjesë edhe vende të BE si Gjermania, ndërkohë që Franca votoi pro rezolutës./

#Protesta #për #Palestinën #kthehet #kundër #Ramës #policia #bllokon #marshimin

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button