Autonomi për serbët? Reagon qeveria e Kosovës: Nuk kemi pranuar asgjë të tillë

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se nuk është pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie për serbët. “Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës”.
Ishte ish-kryeministri Avdullah Hoti që shpërndau një lajm të publikuar ditë më parë nga media amerikane “Fox News”, ku mes tjerash thuhet se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi, kërkoi njohjen “de facto” dhe autonomi për serbët e veriut. Hoti ka kërkuar reagimin e kryeministrit Kurti dhe të presidentes Osmani duke shkruar se nëse kjo s’është e vërtetë, Osmani e Kurti duhet ta përgënjeshtrojnë.
Zëdhënësi i qeverisë i tha RTK-së se për momentin është e paqartë nëse lajmi në median amerikane i referohet një citati të drejtpërdrejtë të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen apo është interpretim i vetë mediumit mbi deklarata të presidentes Leyen.
“Ajo ç’ka duam ne të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës, aty ku do të anëtarësohet Republika jonë; por asnjëherë autonomi, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës” – ka thënë zëdhënësi i qeverisë së Kosovës. ©
#Autonomi #për #serbët #Reagon #qeveria #Kosovës #Nuk #kemi #pranuar #asgjë #të #tillë
Lapsi