Procesi ndaj Berishës/ Rama: Nuk e kam kapur SPAK!
Kryeministri Rama ka thyer heshtjen për procesin e kreut të opozitës, Sali Berisha dhe arrestimin e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Pikëpyetjeve nëse SPAK mori urdhër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo urdhëri doli nga zyra e Edi Ramës, kryeministri i dha përgjigje në një takim me socialistët në Fier.
Rama tha se amerikanët kanë qenë mbështetës të reformës në drejtësi, por tha ai, socialistët kanë qenë udhëheqës të saj, duke pranuar se ka bërë reformën në drejtësi, por se nuk e ka kapur SPAK. Rama tha se nëse do të kishte kapur SPAK-un, nuk do të ishin goditur njerëzit pranë tij.
“Këtu ka dy pozicione të dallueshme në mexhlisin e debatit publik. Njëri pozicion është drejtësinë e solli Amerika. Tjetri pozicion është, s’ka drejtësi të re, se ka një SKAP që po na kap, se e ka kapur Edi Rama. Të dyja janë të pavërteta. Para ca ditësh po bisedoja me Fatmir Xhafajn që për një kohë shumë të gjatë ka qenë në tryezat qysh kur ishim në opozitë. Ku është diskutuar cështja e reformës në drejtësi. E solla emrin e Fatmirit se ai ka zakon që mban shënime. Po të ishte këtu, do mbante shënime. Zakon. Më kujtoi që ne, këtë që bëmë me reformën në drejtësi e kemi nisur jo kur unë e kam përsëritur shpesh, për programin e 2013 por shumë kohë më parë. Jo si bisedë. E kemi nis shumë kohë më parë, kur në opozitë i kemi propozuar qeverisë së asaj kohe një pakt kombëtar për drejtësinë. Dokumenti i propozuar nga Partia Socialiste, që në 2008, në 2009 na bëri mirë ajo që u mësuam të fitojmë, vetëm të fitojmë. Pastaj shkruajtëm programin për një Rilindje Kombëtare dhe e kemi në program dhe kur kemi diskutuar programin kishte nga ata që thonin: Si mund ta bëjmë se nuk do marrim 94 vota, apo 84 vota, ne do marrim shumicën inshallah. Dhe unë i thoja, “Ne do e vëmë këtu dhe do ta bëjmë”. Se si do e bëjmë nuk kam filxhan, por do bëhet se i ka ardhur koha dhe ka ardhur në pikën që nuk mban më kjo punë. Dhe u bë. Dhe jo amerikanët, por gjithë forcat e NATO-s bashkë nuk e bënin dot këtë. Se nuk është puna e tyre. E dyta askush, besojeni se është një nga arsyet për të qenë krenarë për këtë familje politike, të qënit në këtë parti në këtë fazë historike. Nëse sot pandëshkueshmëria nuk është mit, ndodh se ekziston Partia Socialiste e Shqipërisë. Askush tjetër. As ata që ishin. As ata që duan të jenë. Askush. Nuk e kanë këtë kapacitet shtetbërës që ka Partia Socialiste në AND e vet, se që nga viti 1991 në Shqipëri ka pasur dy forca, një që ka shkatërruar një që ka ndërtuar. Partia Socialiste mund të ketë bërë gabime të mëdha. Se pashë Erjonin (Braçen). Por, të bëj unë gabime me Erjonin, gabimi im duket më i madh. Nuk ka asnjë forcë tjetër politike në Shqipëri, s’ka pasur, nuk ka dhe nuk do ketë për një periudhë të caktuar. Se ky është kapacitet shtetbërës. Por në asnjë rast nuk mund t’i thuash që për shkak të kësaj partie Shqipërisë i ndodhi një shkatërrim. Do t’ia numërojmë shkatërrimet partisë tjetër? Nuk ja vlen të humbas kohë. PS mund ta ketë gjuajtur topin jashtë, por huq nuk kemi dalë ndonjëherë. Doni t’jua numëroj sa herë kanë dalë huq të tjerët? Pra nuk është Amerika që bëri reformën në drejtësi. Është Partia Socialiste që bëri reformën në drejtësi dhe gjeti dhe pati mbështetje masive të aleatëve. A bëhej reforma pa mbështetjen e tyre? Jo nuk bëhej. Por tjetër është ta udhëheqësh reformën dhe tjetër ta mbështeësësh atë. Mbështetja në rastin tonë ishte shumë e rëndësishme. Se ato kreshnikët nuk do vinin në parlament që mbanin kokën poshtë sikur u ishin ujitur pantallonat. Po kaq e pavërtetë është tjetra, që e kemi kapur ne drejtësinë, që e kam kapur unë. Nuk do shpjegim. Një forcë, një qeveri një kryeministër që do të kapi drejtësinë, e kap që mos t’i kapin askënd. Se ta kapësh drejtësinë, që të të kapin ato që nuk do të t’i kapin, kjo nuk është kapje e drejtësisë. Dhe ose ke vesin të rrish në karrige dhe t’i kapësh të gjithë që të rrish më shumë në karrige ose ke vizionin të bësh gjëra të mira për të gjithë. Kjo reformë në drejtësi do të mbetet dhe nuk kthehet më. Nuk kthehet” tha Rama.
#Procesi #ndaj #Berishës #Rama #Nuk #kam #kapur #SPAK
Lapsi