Aktualitet

Bisedat në “Sky”, Rilindja i fiku kandilin për herë të dytë Ardi Veliut

Ardi Veliut i mbaroi kandili prej një ministri tjetër të Edi Ramës. Me Bledi Çuçin ai u largua nga drejtimi i Policisë së Shtetit. Me Taulant Ballën u largua nga Agjencia e Mbikeqyrjes Policore pas rreth një viti. Lajmi që qarkullonte prej ditësh për dorëheqjen e tij të detyruar apo shkarkimin e prezantuar publikisht si dorëheqje, u zyrtarizua sot nga Ministria e Brendshme.

Njoftimi ishte formal dhe nuk ekspozonte asnjë arsye të dorëheqjes së Veliut përveçse thuhej në fund se ai “do të japë kontributin në një tjetër detyrë shtetërore”. mëson se motivi i vërtetë i largimit të kryeushtarit të Rilindjes gjatë kohës kur drejtonte Policinë e Shtetit dhe AMP-në lidhet në fakt me ekspozimin e tij në bisedat e enkriptuara në aplikacionin “Sky”.

Veliu përmendej në këto biseda në dosjen “Metamorfoza”, e cila zbuloi një rrjet kriminal të vrasjeve mafioze, me biznesmenë të përfshirë, prokurorë e drejtues të lartë policie. Edhe në dosjen “Metamorfoza 2” që nuk është bërë ende publike nga bisedat e enkriptuara në “Sky” e që po hetohet nga SPAK, Ardi Veliu del sërish në skenë, tregon burimi ynë.


Nuk është e qartë ende se në çfarë niveli është i përfshirë Ardi Veliu gjatë kohës kur drejtonte Policinë e Shtetit, me kë ka komunikuar dhe në çfarë konteksti janë zhvilluar bisedat. Por natyrisht që përfshirja e tij në “Sky” ishte për t’ju shmangur rrjetës së ligjit pasi ky aplikacion konsiderohej tejet i sigurt derisa e zbërthye nga francezët.

Largimin nga Policia e Shtetit dhe strukturat e lidhura me të për të gjithë punonjësit që kanë përdorur aplikacionin “Sky” e pati paralajmëruar disa javë më parë edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Që Edi Rama të lëshonte “kamikazin” e tij Ardi Veliu, me të cilin ka mbyllur shumë “punë të pisëta”, duhet të ketë pasur një arsye madhore.

Përplasja e mundshme me Taulant Ballën apo ministrin e radhës nuk është arsye për Ramën që të lëshojë një “kamikazin” e tij. Dalja e dosjes “Metamorfoza 2” dhe përmendja në të e Ardi Veliut është një arsye madhore për Edi Ramën që t’i fikte kandilin edhe njëherë Ardi Veliut.

Gjatë drejtimit 4-vjeçar nga Veliu, Policia e Shtetit u shndërruar në një strukturë të errët partiake në shërbim të Rilindjes. Kulmi ishin zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku shquan mes të tjerash edhe damka e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, e ku Ardi Veliu mohoi me zë dhe figurë se nuk ishin gjetur prova të shitblerjes së votës, çka më pas rezultoi krejt ndryshe. Derisa të publikohen bisedat e tjera të dekriptuara nga “Sky” e që janë në dorën e SPAK, Ardi Veliu do të qëndrojë me kandil të fikur ose do të shkojë në detyrën e radhës siç njoftoi sot Taulant Balla. ©

#Bisedat #në #Sky #Rilindja #fiku #kandilin #për #herë #të #dytë #Ardi #Veliut

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button