Aktualitet

Diplomacia e gjesteve/ Diferenca se si i pret Rama liderët europianë në Tiranë

Shumëçka kuptohet nga gjuha e trupit, dhe pritja që i bëri Edi Rama liderëve europianë dje në Tiranë na shërben për të kuptuar se me kë shkon mirë, e me kë shkon keq kryeministri ynë.

Dhe Edi Rama na e bën shumë të thjeshtë t’i analizojmë këto ndryshime në sjellje. Ai na ka mësuar të përqafohet me kryeministra, apo edhe t’i ulet në gjunj. Vërtetë ka filluar të mos veshë atlete të bardha me kostume, por ekspresiviteti i tij me liderët botërorë mbetet i pandryshuar.



Rama ka marrëdhënie të ngrohtë me kryeministrin e Hollandës, Mark Rutte. Ata qeshin bashkë, bëjnë batuta për motin dhe pozojnë për foto disa sekonda. (shiko videon poshtë) 

Edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel Rama e pret me duart hapur që kur del nga makina. I afrohet i thotë diçka në vesh dhe e shoqëron duke biseduar.

Por komplet tjetër gjë ndodh me kryeministrin grek, Mitsotakis, me kryeministrin Kosovar Albin Kurtin dhe çuditërisht kryeministren serbe Ana Brnabiç.

Mitsotaqis zbret nga makina me një pamje të ngrirë. Rama heziton t’ia vendosë dorën në shpatull fillimisht. Pastaj me një buzëqeshje të shtirur e ndjek me sy ndërsa Mitostaqis shkon drejt e tek gazetarët për të folur për çështjen që i ka futur këtë siklet dy kryeministrave. Burgosjen e Fredi Belerit. (shiko videon poshtë) 

Edhe takimi me Albin Kurtin ishte i ftohtë. Nuk shkëmbyen me njëri-tjetrin asnjë fjalë më tepër se përshëndetjes së rastit. Por ky tension mes kryeministrave shqiptarë është i kuptueshëm. Aq thellë ka shkuar krisja mes të dyve sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, sa edhe në ndeshjen Shqipëri-Çeki, kryeministrat u ulën larg njëri-tjetrit.

Më shumë se të gjithë habiti takimi i ftohtë i Ramës me kryeministren serbe Ana Brnabiç. Edhe pse Rama ka pasur një qasje përafruese me Serbinë, madje edhe bashkëpunuese me Ballkanin e Hapur, kryeministrja serbe nuk e fshehu aspak mërinë ndaj Ramës. Teksa e sheh duke dalë nga makina Rama i buzëqesh, por ajo i ngrin në fytyrë kur sheh se Brnabic iu afrua e ngrysur. Ajo e përshëndeti sa për të thënë, i shtrëngoi dorën Ramës dhe iku me shpejtësi.

Video e përgatitur nga gazetari Arbër Kaceli për faqen Videos në Facebook 

Edhe pse zhvillimi i këtij samiti për herë të parë në një vend të Ballkanit është një zhvillim jo pak i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin, këto takime tregojnë se problematikat e vendeve të Ballkanit mbizotërojnë edhe në samite të tilla. © 

#Diplomacia #gjesteve #Diferenca #pret #Rama #liderët #europianë #në #Tiranë

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button