Aktualitet

Micotakis, fytyra e vrerosur e Samitit të Tiranës, “Beleri të betohet ose bllokojmë negociatat”

Në tryezën që bëri bashkë politikanët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor dallohej menjëherë që kryeministri i Greqisë rrinte si mbi gjemba. Është i vetmi që ka zhveshur xhaketën, para se të ulej përballë Ramës, Sholtz dhe Fon der Leyen. (shih foton më lart)

Mes valleve dhe këngëve të Procesit të Berlinit, qeveria greke ka përsërisë kërkesën për betimin e Fredi Belerit, si kusht për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.



Që në nisjë të takimeve, u pa një Kiriakos Micotakis i vrerosur që takoi ftohtë mikpritësin, kryeministrin Edi Rama në tapetin e kuq, ndërsa kërkonte me sy gazetarët për një prononcim. Ndërsa në mesazhet e liderëve të Bashkimit Europian ishin marrëveshjet e pritshme mes vendeve të Ballkanit Perëndimor apo ulja e tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës, Micotakis ishte në Tiranë për një mision tjetër: Fredi Beleri.

Në prononcimin për gazetarët u shpreh se Greqia kërkon që kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës t’i jepet leja për t’u betuar.

Gjatë muajve të fundit, mikja jonë Shqipëria ka bërë lëshime të rëndësishme për këtë çështje dhe po i referohem konkretisht rastit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në paraburgim prej pesë muajsh.

Dua të theksoj respektin tim për pavarësinë e gjyqësorit shqiptar dhe nuk kam dëshirë të ndërhyj në mënyrën se si funksionon. Megjithatë, dua të theksoj kategorikisht se Fredi Beleris ka të drejtë të betohet si kryetar i Bashkisë Himarës edhe nëse është në paraburgim.

Është një e drejtë e patjetërsueshme, që buron nga rendi kushtetues shqiptar, një e drejtë, për më tepër, që është plotësisht në përputhje me rregullat evropiane të shtetit të së drejtës. Dhe është shumë e rëndësishme që zoti Beleris të betohet si kryetar i Bashkisë së Himarës, në mënyrë që kjo hije e rëndësishme, e cila në këtë moment padyshim që prek marrëdhëniet greko-shqiptare, të largohet.

Do të përsëris, dhe nga këtu, se zgjidhja e kësaj çështjeje është një kusht i domosdoshëm që Greqia të ndërmarrë hapin e radhës dhe të pranojë nisjen e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Shpresoj dhe uroj që ky problem të zgjidhet në një frymë bashkëpunimi dhe humor të mirë, pa lënë në hije marrëdhëniet mes dy shteteve” tha Micotakis.

Shqipwria i ka hapur negociatat, por Micotakis i referohet metodologjisw sw re qw miratoi Bashkimi Europian nw vitin 2020, sipas sw cilws çdo kapitull qw hapet kwrkon votw unanime nga vendet antare tw BE-sw. Nwse njw vend antar nuk voton pro kur mblidhet Kwshilli Europian pwr hapjen apo pwr mbylljen e njw kapitulli tw negociatave, atwherw procesi mbetet nw vend.

Shqetësimin për Belerin, shefi i qeverisë greke tha se do t’ia transmetonte kryeministrit të Shqipërisë.

Po, çështjen e Fredi Beleris do ta diskutoj me kryeministrin Rama. Qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë: nuk kam ndërmend dhe as nuk është detyra ime të ndërhyj në proceset e drejtësisë së pavarur shqiptare. Megjithatë, Fredi Beleris ka të drejtë të betohet, edhe nëse mbetet në paraburgim. Këtë do t’ia bëj absolutisht të qartë Edi Ramës dhe shpresoj që këtë çështje ta zgjidhim me një humor pozitiv” u shpreh ai.

Çështja “Beleri” ka ndarë edhe më parë qeveritë e dy vendeve. Refuzimin e tij për t’u ulur në një tryezë me Edi Ramën, Micotakis e tregoi qartë disa muaj më parë, kur nuk e ftoi kryeministrin shqiptar në Athinë, në një samit me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Për pakënaqësinë që u shkaktoi arrestimi i Fredi Belerit dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit në Himarë, grekët kanë treguar se janë të gatshëm të lëvizin çdo gur të mundshëm diplomatik dhe nuk kanë ngurruar ta përsërisin kërkesën e tyre edhe mes ceremonive që ishin konceptuar si një festë në Tiranë./

#Micotakis #fytyra #vrerosur #Samitit #të #Tiranës #Beleri #të #betohet #ose #bllokojmë #negociatat

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button