Armatosja e Serbisë, Lleshaj: Duhet të jemi gati për një opsion tjetër përveç paqes në Ballkan

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se Kosova duhet të vijojë rrugëtimin e vet si shtet i pavarur i njohur nga mbi 100 shtete, pa u shqetësuar për njohjen nga Serbia.
Kjo, sipas tij duhet të bëhet përmes kontrollit të plotë të territorit dhe vendosjes së një statusi qartë, të njohur botërisht për pakicat serbe.
Lleshaj u shpreh në emisionin Review në Euronews Albania se Kosova duhet të krijojë kapacitetet e saj për mbrojtjen e kufijve, ashtu siç duhet të bëjë edhe Shqipëria, që siç tha duhet të jetë gjithmonë e përgatitur për një opsion tjetër përveç paqes në Ballkan.
“Kosova duhet të krijojë kapacitetet e saj për ruajtjen e territorit të vet. Ashtu sikundër Shqipëria duhet të jetë gjithmonë e përgatitur për një opsion tjetër përveç paqes në Ballkan.
Erërat nuk janë domosdoshmërish të paqes ato që fryjnë. Armatimi serioz dhe i vazhdueshëm i Serbisë është sinjal i qartë se Serbia ka një plan të caktuar për ta zgjidhur me armët që ka grumbulluar. Çdo përshkallëzim i situatës në Kosovë do ta përfshijë Shqipërinë qoftë si NATO apo qoftë edhe vetëm si Shqipëri”, tha Lleshaj.
/a.r
#Armatosja #Serbisë #Lleshaj #Duhet #të #jemi #gati #për #një #opsion #tjetër #përveç #paqes #në #Ballkan