DETAJE / Grupi i Laert Haxhiut hodhi në erë me tritol lokalin e Noizy-t pas sherrit me Cllevion

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për mediat ka zbuluar detaje nga mega-operacioni “Never Forget”, që çoi në zbardhjen e 16 ngjarjeve kriminale ku ka marrë pjesë banda e drejtuar nga Laert Haxhiu.
“Zbërthimi” i të penduarit të drejtësisë Arjan Tafani, i cili u arrestua pas grabitjes së 30 mijë eurove në një pikë të këmbimit valutor në Astir, ka çuar ndër të tjera edhe në zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Durrës më 8 qershor 2022, ku u hodh në erë me tritol lokali “Rigels” në zonën e Plazhit.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 04:24, në lagjen Nr.13 të qytetit bregdetar duke shkaktuar dëme të mëdha material në lokalin dhe dyqanin e rrobave, të cilët janë në pronësi të babait të reperit Noizy, Bashkim Rajku.
Kjo ngjarje ndodhi fill pas sherrit që Noizy pati në Durrës me reperin nga Lushnja, Kleviol Ahmeti, i njohur me nofkën “Cllevio Serbiano”.
Sipas policisë autorët që vendosën tritolin në lokalin e familjes Rajku janë Laert Haxhiu, Artan Tafani (39 vjeç), Lulëzim Spahia (Arapi) 28 vjeç dhe Erisian Abedini (32 vjeç).
“Shkatërrim i pronës me eksploziv, i kryer në bashkëpunim në katër raste me të dëmtuar shtetasin Erjon Çoku, Bashkim Rajku, dhe Bujar Turku në dy raste”, është një nga akuzat që Rrumbullaku komunikoi për katër personazhet e mësipërm.
/a.r
#DETAJE #Grupi #Laert #Haxhiut #hodhi #në #erë #tritol #lokalin #Noizyt #pas #sherrit #Cllevion