Socialistët thellojnë fitoren në Kukës edhe pas video-skandalit të Gjicit

Humbja e opozitës këtë të dielë në Kukës ka qenë më e thellë se ajo e 14 Majit përballë Safet Gjicit. Diferenca e votave mes Albert Halilajt të PS dhe Emri Vatës të Bashkë Fitojmë rezultoi 5594 vota, ndërsa disa muaj më parë, Safet Gjici i dha fitoren PS-së me diferencën prej 1368 votash.
Pjesëmarrja këtë të dielë është pak a shumë e njëjtë si ajo e 14 Majit, me rreth 20 mijë vetë në të gjithë bashkinë. Nga këto, Albert Halilaj i PS grumbulloi 13025 vota, ndërsa Emri Vata, kandidati opozitar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” mori 7431 vota.
Nuk mund të thuhet se në Kukës mungoi vëmëndja e opozitës. Kreu i koalicionit, Sali Berisha udhëtoi disa herë për takime me mbështetësit e opozitës për të promovuar Emri Vatën. Herën e fundit zhvendosi në Kukës të gjithë grupin parlamentar nga Tirana. 43 deputetët e zhvilluan mbledhjen e grupit parlamentar në Kukës, por kjo siç duket nuk ka pasur asnjë efekt .
Në anën tjetër, Edi Rama nuk u paraqit asnjëherë për t’i kërkuar votën kuksianëve. Në 14 Maj u kishte ofruar “kalin” e tij Safet Gjicin, që u largua kokulur, për shkak të skandalit seksual me Alma K.
Pavarësisht kësaj, diferenca është thelluar, ndërsa në deklaratën për media këtë të hënë, Sali Berisha nuk preferoi të japë asnjë shkak për arsyet e humbjes.
Duhet thënë se në zgjedhjet për bashkinë e Kukësit, PD e vulës u la fushë të lirë demokratëve që mbështesin Berishën, duke u dhënë edhe komisionerët që ia kishin marrë me vendim gjykate.
Ndaj një ditë pas humbjes së thellë, kreu i degës së PD-së së vulës në Kukës, Arfi Rexhmati ka shpërthyer në akuza. “Pazarxhinjtë e “djathtë” të Tiranës, i vendosën “traun e dytë” të oligarkëve të Ramës” shkruan Rexhmati në një status ku sulmon deputetët pa asnjë lidhje me banorët e Kukësit.
Demokratët duan përgjigje , pse u tallët me ta, ku është diferenca 5000 vota më shumë se rilindja, të fituara në v. 2021 në Kukës ? Çfarë prodhuan në favor të kandidatit ata që erdhën si “shpëtimtarë” , me pompozitet dhe takime deputetësh që nuk kanë asnjë lidhje me Kukësin? Disa prej tyre vinin për herë të parë në Kukës si turistë, e disa të tjerë janë të urryer nga demokratët per neperkembjen e besimit te marre nga votuesit kuksiane. Parimet janë më të rëndësishme se “flamujt” e interesave tuaja të servirur si kauza …” shkruan Rexhmati.
Ndërkohë në krahun e Foltores ka pllakosur heshtja. Megjithëse rezultati ka qenë i qartë që të dielën në mesnatë nuk ka asnjë asnjë reflektim për humbjen e thellë.
Në një mesazh që ka shpërndarë në rrjetet sociale dhe ku kërkon reflektim, deputeti Gjekmarkaj, shkruan “Vetëviktimizimi i perhershem tek e fundit është sëmundje mendore ose hipokrizi. Të gjithë jemi fajtor por fajtori më i madh është ai ose ata që nuk e pranojnë fajësinë”.
Përveç skandalit seksual të Safet Gjicit, që nga 14 Maji, nuk ka pasur asnjë zhvillim thelbësor, asnjë premtim të mazhorancës, apo asnjë projekt investimesh që të shpjegojë thellimin e diferencës me 5 mijë votash të kandidatit të PS./
#Socialistët #thellojnë #fitoren #në #Kukës #edhe #pas #videoskandalit #të #Gjicit
Lapsi