Video/ Balaj tërheq Vllazninë drejt Final Four: Teuta e mbyll me një mesfushor si portier

Në Loro Boriçi, Vllaznia është kthyer te fitorja, duke mposhtur 2-0 Teutën. Kuqeblutë janë tashmë në vendin e tretë me 8 pikë, të udhëhequr nga dy gola të kapitenit të tyre Bekim Balaj. Pas fitores së parë ndaj Skënderbeut javën e kaluar, durrsakët nuk kanë mundur të bëjnë të njëjtën gjë në Shkodër. Vllaznia e teknikut Memelli e zgjidhi ndeshjen që në pjesën e parë, ndërsa më pas administroi. Longo përvec humbjes duhet të mendojë për ndeshjen e ardhme pa portierin titullar Dema. I ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 99′, portieri i la vendin e tij mesfushorit Beqja.
Një ndeshje delikate për të dy formacionet, por që mori rrugën e duhur falë shkëputjes së fuqishme të kapitenit Balaj. Në minutën e 15′ qendërsulmuesi mundi Jazxhi në markaturë dhe mposhti Demën. Longo, me tridhëmbëshin e tij ofensiv, frikësoi vetëm në minutën e 25′ me Filin, që gjeti reagimin e saktë të Qarrit. Gruda provoi të shënonte golin e ish-it, por Dema nuk e lejoi. Ai që vuajti duelin me Balaj ishte Jazxhi që shkaktoi edhe penallti në fundin e pjesës së parë. Një prekje me dorë që i dha mundësinë Balaj të shënonte dygolëshin personal, në minutën e 42′.
Teuta e nisi pjesën e dytë përpara, por Fili, Daci e Gjata nuk arritën të thyenin rezistencën e Qarrit. Avantazhi i dyfishtë i lejoi shkodranët të luajnë me qarkullimin, për të kundërsulmuar në momentet e përshtatshme. Teuta nuk u duk e aftë të bënte keq, madje rrezikoi të pësonte trisin e Grudës, Boshnjakut e Alivodës.
NJË MESFUSHOR SI PORTIER
Në fund, të dy skuadrat e mbyllën ndeshjen pa mundur të ndryshonin rezultatin e pa portierët titullarë. Qarri i dëmtuar u zëvendësua nga Mëhidri, ndërsa Longo i kishte kryer zëvendësimet kur Dema u ndëshkua me karton të kuq. Pak minuta për Beqjan si portier, që nuk ndikuan në rezultat. 8 pikë për Vllazninë në vendin e tretë, po aq sa Partizani e Erzeni e 4 për Teutën në vendin e tetë.
Lexo më tej: Video/ Reçi shpëton pankinën e Nicës në Korçë: silura e mbrojtësit i jep fitoren e parë Kukësit
#Video #Balaj #tërheq #Vllazninë #drejt #Final #Teuta #mbyll #një #mesfushor #portier
Lapsi