Po rikthehet pandemia? 1 viktimë dhe 67 të infektuar me Covid në dy javët e fundit në Kosovë

Një person ka vdekur dhe 67 të tjerë janë infektuar me koronavirus në dy javët e fundit në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë vend, mosha mesatare e të infektuarve është 52 vjeç.
Në një komunikatë për media, Ministria ka thënë se numri më i madh i të infektuarve në periudhën 30 gusht – 12 shtator është regjistruar në Prishtinë, 25 raste, Pejë, tetë raste, Gjakovë, shtatë raste.
Ministria ka thënë se Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKSHPK) është duke e monitoruar vazhdimisht situatën epidemiologjike, e cila vlerësohet të jetë e qetë.
Është bërë e ditur se IKSHPK-ja i ka identifikuar disa lloje të varianteve të koronavirusit në Kosovë, pas analizave të tjera në Departamentin e Mikrobiologjisë.
Kundër këtij virusi – që e shkakton sëmundjen COVID-19 – autoritetet në Kosovë e kanë miratuar dhënien e dy vaksinave të prodhuara nga Pfizer dhe Astra-Zeneca.
Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.REL
#rikthehet #pandemia #viktimë #dhe #të #infektuar #Covid #në #javët #fundit #në #Kosovë