Aktualitet

Rama: Beleri “patate e nxehtë” e drejtësisë, lufta ndaj korrupsionin do thellohet pavarësisht dhimbjes së kujtdo

Kryeministri Edi Rama është shprehur sërish për çështjen “Beleri”, të cilit i referohet si ‘patate e nxehtë’ e drejtësisë. Rama thekson se përtej thirrjeve për ‘ta hedhur në det’, ai sërish qëndron besnik i parimeve të drejtësisë që shprehet se vetë qeveria e tij ka iniciuar.

“Ndonjë po thotë se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrësesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi”, shprehet ai.

Reforma në drejtësi sipas Ramës nuk e ka ‘luftuar’ ende stereotipin se në Ballkan mbizotëron kudo njësoj, korrupsioni.

“Fatkeqësisht, hija e stereotipit se korrupsioni është mënyra e jetesës në Ballkan dhe të gjithë janë njësoj, prandaj të gjithë duhen treguar me gisht, çfarëdo që të bëjnë për të provuar të kundërtën, shtrihet deri mbi çatitë e zyrave të kryeqyteteve perëndimore. Mungesa e sukseseve në hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e korrupsionit në nivel të lartë, janë avazi që i përsëritet çdo vit nga të katër anët Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipërisë po njësoj. Raportet copy paste nga viti i mëparshëm janë bërë modë dhe institucione të rëndësishme apo organizata me emër të madh, i rishtypin ato me ndonjë të re që është po aq e vjetër sa të mëparshmet, bazuar në anketime e perceptime që mblidhen nën hijen e atij stereotipi”, thotë ai.

Megjithatë sipas tij, pak vlejnë të tilla pretendime, sepse synimi është krijimi i një vendi ,e drejtësi funksionale që do iu shërbejë gjeneratave dhe jo Brukselit apo Berlinit.

 “Por fatmirësisht, ne e dimë më mirë se kushdo edhe sa shumë gjëra kanë ndryshuar, po edhe sa shumë gjëra duhen ndryshuar akoma dhe nëse ka një vend në këtë rajon, i cili meriton shumë më tepër respekt, madje edhe lëvdata inkurajuese për faktet e lidhura me këtë luftë, ky vend është Shqipëria. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë, se edhe pse disa fjalë të mira dhe plotësisht të merituara, do të na gëzonin si shenjë respekti, përsëritja e të njëjtit avaz nuk na mërzit fare, sepse ne nuk po e bëjmë këtë luftë as për Brukselin, as për Berlinin apo Uashingtonin, po për fëmijët e sotëm të Shqipërisë së nesërme”, shton ai.

Reforma në drejtësi mbetet një nismë që kryeministri Rama ia atribuon qeverisë së tij, për të cilën shprehet se i dha fund pandëshkueshmërisë./f.s

#Rama #Beleri #patate #nxehtë #drejtësisë #lufta #ndaj #korrupsionin #thellohet #pavarësisht #dhimbjes #së #kujtdo

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button