Aktualitet

Veliaj i bashkohet ekipit të dezinfektimit në shkolla: Sigurojmë higjienë maksimale për nxënësit e Tiranës

Ekipet e Bashkisë Tiranë janë shpërndarë në shkolla për të bërë punimet e mirëmbajtjes, por edhe dezinfektimin.

Grupit të punës iu bashkua në fundjavë, në dy shkollat e reja “Vaçe Zela” e “Kristo Frashëri”, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se, ashtu si në çdo shtëpi familja kujdeset për të krijuar kushtet higjienike për fëmijën, edhe bashkia po punon që në çdo godinë të jetë e njëjta higjienë e pastërti.

“Iu bashkova ekipit me uniforma, të cilët kryejnë shërbime shumë të rëndësishme si dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi. Është e vetmja mënyrë për të pasur higjienë maksimale dhe për t’u siguruar që, ashtu siç ndrisin shtëpitë tona nga brenda, ashtu duhet të ndrisin edhe shtëpitë tona të përbashkëta: shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Ajo që bëmë sot është një dezinfektim i plotë i klasave dhe ambienteve të tjera. Janë përdorur të gjitha solucionet e aprovuara nga OBSH-ja. Ne e bëjmë këtë proces në mënyrë rutinë, por i japim pak më shumë rëndësi dhe vëmendje me fillimin e vitit shkollor,” u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se higjenizmi i shkollave është bërë në mënyrë të vazhdushme, por bashkia ka punuar me një masë të shtuar kujdesi, sidomos pas pandemisë së Covid 19.  Veliaj tha se Tirana ishte qyteti ku gjatë verës u ndjenë më pak shqetësimet nga insektet, edhe për shkak të këtij kontrolli të shtuar.

“Dua të siguroj prindërit se pas historisë me Covid-in, por edhe për shkak të virozave të ndryshme, jemi bërë shumë herë më të vëmendshëm. Dua të them se, pavarësisht se kishim një fluks me karkaleca dhe mushkonjat e përvitshme, dukuri tipike të verës, Tirana ka qenë më pak e prekur falë këtyre shërbimeve. Ne ndërtesat, siç e kemi treguar, dimë t’i bëjmë, por vëmendja për asetin numër një, që është drita e syrit, aseti më i çmuar për çdo familje që është fëmija, është maksimale,” nënvizoi ai.

Veliaj tha se po punohet me një ritëm intensiv që gjithçka të jetë gati të hënën.

/a.d

#Veliaj #bashkohet #ekipit #të #dezinfektimit #në #shkolla #Sigurojmë #higjienë #maksimale #për #nxënësit #Tiranës

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button