Aktualitet

Serbi – Kosovë…Vrapim me pengesa/ Pista e Brukselit nuk ofron garanci

Në orët e vona të 18 marsit, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bëri të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje

Në fakt, ajo për çka janë pajtuar palët ka qenë një Aneks, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë marrë vesh më 27 shkurt në Bruksel.

Ndonëse në atë marrëveshje nuk parashihet njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, aty ka propozime për eleminimin e disa pengesave që vazhdojnë të ekzistojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve, prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.

Në veçanti, në marrëveshjen e shkurtit bëhet thirrje për njohje të dokumenteve dhe simboleve kombëtare, sikurse pasaportat, diplomat, targat e makinave dhe vulat doganore.

Parashihet, po ashtu, që palët të kenë misione të përhershme diplomatike, të mos e pengojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së, dhe që Beogradi të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në këmbim të kësaj, dega e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë do ketë statusin e saj të formalizuar.

Marrëveshja e shkurtit përkrah edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pa e përmendur asociacionin me emër.

Në tekst vetëm përmendet krijimi i “një niveli vetëmenaxhimi të komunitetit serb në Kosovë”. Po cfarë do të thotë kjo?

Në disa aspekte, marrëveshja dhe aneksi përcjellës – nëse zbatohen plotësisht – mund të jenë pikënisje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Kjo do të thotë një njohje de facto e shtetësisë së Kosovës, dhe afrim i të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Megjithatë, ekzistojnë disa pengesa

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë qartë se ai nuk do të nënshkruajë asnjë dokument dhe ka shuar shpresat fillestare që kanë ekzistuar në Bruksel se marrëveshja do të nënshkruhet në një samit të BE-së, që është mbajtur javën e kaluar, në prani të të gjithë liderëve të BE-së.

Marrëveshja fillestare e Brukselit, e arritur nga të dyja palët më 2013, po ashtu nuk është nënshkruar, por të paktën në të janë vënë inicialet.

A do bëjë Prishtina ndonjë hap pa marrë garanci për hapa reciprokë të Beogradit?

Shefat negociatorë të të dyja palëve pritet të takohen sërish më 3 prill në Bruksel për të biseduar dhe kjo duhet të shërbejë si shenjë se marrëveshja do të funksionojë.

Të gjithë sytë do të jenë te Serbia për të parë se si do të sillet në nivel ndërkombëtar në muajt në vijim.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button