Aktualitet

Rama kundër BIRN: “Hedh një budalla një gur në lumë…”

Kryeministri Edi Rama ka bërë një përgjigje të gjatë ndaj një lajmi të rrjetit investigativ BIRN se qeveria po planifikon të shpenzojë për dy vitet e ardhshme edhe 113 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve për qarkun e Fierit dhe Elbasanit.

Në shkrimin e publikuar pak ditë më parë, BIRN fliste për një draft-dokument të qeverisë shqiptare të “Politikave Prioritare” për periudhën 2024-2026 renditen si projekte “Unike me rëndësi kombëtare” të investimeve publike edhe krijimin e zonave funksionale për mbetjet në Elbasan dhe Fier.

“Për Elbasanin parashikohet një investim i ri prej 50.1 milionë eurosh, ndërsa për Fierin 63 milionë euro. Të dy projektet janë kategorizuar si të maturuara, çka nënkupton se është kryer studimi i fizibilitetit dhe janë në fazë të avancuar të përpilimit të dokumenteve teknike” – thuhej në shkrim.


Por Rama e hedh poshtë këtë lajm me një koment të bërë këtë të premte në X.

“Asaj shprehjes popullore, “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur s’e nxjerrin dot”, po i bashkangjis si adresë Fletoren Zyrtare, ku çdo shejtanbudalla nga ata që e kanë nxjerrë nga nuk e di ku, se qeveria paskej vendosur 100 e kusur milionë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare, mund të gjejnë se çfarë ka vendosur në fakt në atë dokument qeveria në mbledhjen e miratimit të tij, e pastaj mund t’ia tregojnë publikut, ndërkohë që për sa na takon nuk kemi vendosur asgjë të tillë!

Me këtë rast sqaroj se shumat e përcaktuara në këtë lloj dokumenti orientues janë shuma që nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative, ndërkohë që guri 100 e kusur milionësh s’ka asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin!” – shkruan Rama që në fund ironizon me BIRN.

“Në mbyllje, mediave “investigative” që marrin pjesë në hedhje gurësh në mexhelis, u lutem të mos harrojnë t’u drejtohen edhe burimeve zyrtare, qoftë edhe për të larë gojën, sepse mund t’i kursejnë vetes figurën e keqe të të keqinformuarit që keqinformon, ndërkohë që misioni i tyre është ta informojnë publikun duke e mbrojtur nga keqinformimi” – shkruan Rama.

Por BIRN ka cituar në shkrimin e tij se “Kryeministri Edi Rama refuzoi gjatë një konference për shtyp të mërkurën të dëgjonte pyetjen e BIRN dhe t’i përgjigjej asaj për paratë shtesë të planifikuara, edhe pas skandalit të korrupsionit me inceneratorët, duke sugjeruar që pyetja t’i dërgohej me shkrim. Një kërkesë për koment dërguar nga BIRN në zyrën e shtypit të Ramës ka mbetur pa përgjigje prej 48 orësh”. ©



#Rama #kundër #BIRN #Hedh #një #budalla #një #gur #në #lumë..

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button