Zëri i Amerikës/Arrestimet për sterilizimin, kush qëndron më lart?
Nga Ilirjan Agolli, Zëri i Amerikës
Në Tiranë, hetimet e Prokurorisë së Posaçme SPAK për koncensionin 10-vjeçar të sterilizimit mund të përfshijnë një numër më të madh zyrtarësh për shpërdorim detyre.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e orientoi Prokurorinë e Posaçme që të shtrijë hetimet edhe mbi përgjegjësitë e 6 personave të tjerë; për ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish ministrin e Financave Shkëlqim Cani, si dhe për katër komisionerë të prokurimeve.
Në vendimin prej 348 fletëve mbi arrestet me burg për ish zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, Gjykata thekson se provat e SPAK-ut evidentojnë shkelje ligjore edhe nga dy ish ministrat dhe 4 komisionerët.
Arrestimi i ish zëvendës ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit të sterilizimeve spitalore Ilir Rrapaj nën akuzat e mashtrim, falsifikim dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.
Por kjo duket se është vetëm fillimi i pjesës së dukshme të aferës korruptive të koncensionit 100 milionë dollarë të nënshkruar në dhjetor 2015 nga ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Dy prej protagonistëve të procesit, Rrapaj dhe Rrjepaj, janë tashmë në arrest me burg, dy të tjerë – drejtorët ekonomikë dhe juridikë janë në arrest shtëpie, katër komisionerë të koncensionit në detyrim paraqitje, ndërsa GJKKO e ka orientuar SPAK të zgjerojë hetimet edhe ndaj ish ministrit Ilir Beqaj dhe ish ministrit të financave Shkëlqim Cani.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar thekson në vendim se “pavarësisht qëndrimit të prokurorisë, nga analiza e provave të administruara dhe të para në unitetin e tyre, në to evidentohen shkelje të akteve ligjore e nënligjore, të cilat ngrihen në nivelin e përgjegjësive penale për ish ministrin e Shëndetësisë Beqaj dhe ish ministrin e Financave Cani, si dhe për katër komisionerë të prokurimit publik”.
GJKKO vëren se nga moria e të dhënave hetimore del se fituesi i këtij koncensioni ishte paracaktuar nga drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë para se të nisnin procedurat formale, madje fituesit parapërgatitën dokumente dhe përshtatën kriteret ligjore në mënyrë që të siguronin fitoren.
Hetimet kanë vërejtur shkeljen e barazisë së konkurrentëve në garë, fryrje artificiale dhe shumëfishimin e kostove dhe çmimeve, falsifikimin e dokumenteve dhe shifrave statistikore, kalimin e qendrës së re të sterilizimeve të QSUT-së në përdorim të koncensionarit, llogaritje të pasakta ekonomike dhe shkelje ligjore, gjë që ka nxitur dyshimet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.
Në vendimin e GJKKO-së mbi masat e arrestit të tyre dhe 6 zyrtarëve të shëndetësisë thuhet se ish ministri Beqaj dhe zëvendësi i tij Rrjepaj kishin njohje dhe takime të vazhdueshme qysh nga dhjetori i vitit 2013 me biznesmenin Rrapaj, pra dy vjet para se ky të fitonte koncensionin e sterilizimeve spitalore.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vërejti gjatë hetimeve se, në emailet mes tyre ish zëvendësministri Rrjepaj merr udhëzime nga biznesmeni Rrapaj për veprimet, që duhet të kryejë në rajonin e Umbrias, pjesë nga studimi i fizibilitetit me logot dhe adresat e kompanisë Investital, në komunikime ku tregohet se ata të dy kanë njohje dhe marrëdhënie të afërt miqësore me njëri-tjetrin.
Ata kanë studiuar për mjekësi në të njëjtat vite, i kanë ndërprerë ato në të njëjtin vit dhe i kanë rinisur në të njëjtin vit.
Biznesmeni Rrapaj, ish ministri i Shëndetësisë Beqaj dhe zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj kanë udhëtuar së bashku me avion nga Italia në qershorin e 2014, periudhë që sipas hetimeve përkon me veprimet përgatitore të koncensionit.
Po ashtu biznesmeni Rrapaj dhe ish zëvendës ministri Rrjepaj udhëtuan së bashku me avion drejt Italisë në mars 2015, periudhë që përkon me shpalljen e njoftimit të tenderit brenda afatit të dorëzimit të ofertave, vërejnë hetuesit.
Kompanitë operatore fituese ishin informuar për detaje të koncensionit të patën 6 muaj para se të shpallej kontrata 10-vjeçare, madje ata e dinin më herët se kjo procedurë do të ishte koncension dhe jo prokurim i zakonshëm.
Rrapaj bëri një regjsitrim formal të kompanisë së tij në Prishtinë si subjekt tatimor, ku deklaroi si punëtor të vetëm të kompanisë veten e tij me pagë 200 euro, ndërsa ajo nuk ka si veprimtari dizinfektimin e sallave kirurgjikale.
SPAK vëren se operatorët fitues kanë patur dijeni të plotë për procedurat e koncensionit dhe kanë parapërgatitur dokumentacionin para se kontrata të shpallej më 13 shkurt 2015.
Ilir Rrapaj mbante kontakte të vazhdueshme me ministrinë e Shëndetësisë, dhe sipas hetimeve ai e regjistroi kompaninë e tij Investital LLC në Prishtinë një muaj pasi fluturoi në Itali me dy drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë, Beqaj e Rrjepaj, dhe një muaj para se të dilte urdhëri i ministrit për ngritjen e komisionit mbi dhënien e koncensionit.
Rrapaj ka udhëtuar edhe me automjetet e zyrtarëve drejtues të ministrisë së shëndetësisë, mes të tjerave, edhe drejt Kosovës.
Pasi ish ministri Beqaj dhe biznesmeni Rrapaj nënshkruajnë kontratën e koncensionit 10 vjeçar për afro 100 milionë dollarë në dhjetor 2015, një varg fluturimesh ajrore të tjera drejt Italisë kanë kryer ata, si dhe ish zëvendësministri Klodian Rrjepaj së bashku me administratorë të kompanisë fituese në vitin 2016 dhe 2017.
Ndërsa koncensioni është duke u zbatuar në vitin e tetë të tij, dhe 8 persona janë në hetim, GJKKO-ja orientoi SPAK-un që krahas masave të deritanishme, të zgjerojë hetimet mbi përgjegjësitë penale të dy ish ministrave Beqaj dhe Cani si dhe 4 komisionerëve të prokurimeve.
#Zëri #AmerikësArrestimet #për #sterilizimin #kush #qëndron #më #lart
Lapsi