Rama ndan pamjet: Nuk janë nga Maldivet as nga Mauritus, por nga Divjaka

Vija e gjatë bregdetare me rërë të butë dhe brezi i pyjeve me pisha e bën Divjakën ideale si për turizmin familjar edhe për atë të aventurës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje mahnitëse nga plazhi i Divjakës, ku pushuesit mund të shijojnë “relievin” bregdetar të krijuar nga baticat dhe zbaticat e detit.
“Pamje mahnitëse, që nuk është as nga plazhet e famshme të Maldiveve e as ato të Mauritius, po nga Divjaka”, shkruan Rama.
Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.
Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.
Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në Malin e Tomorrit.
Kulla panoramike, varkat për të shëtitur vijën ujore përgjatë gjithë parkut, pylli i gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në vijën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.
Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.
/a.r
#Rama #ndan #pamjet #Nuk #janë #nga #Maldivet #nga #Mauritus #por #nga #Divjaka