Vetingu i magjistratëve në Shqipëri ngre pikëpyetje të parehatshme për kolegët e tyre në Ballkan
Pothuajse gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë nuk e kanë kaluar procesin shumë të lavdëruar të vetingut, por mes kolegëve të saj ballkanikë, shqyrtimi i deklaratave të pasurisë lë shumë për të dëshiruar.
Nga Vasko Magleshov, Vladimir Karaj
Prej kohësh ishin ngritur pikëpyetje për origjinën e pasurisë së Artur Malajt. Por kur gjyqtari i vjetër iu nënshtrua procesit të vetingut në Shqipëri, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi atë në detyrë. U desh ndërhyrja e panelit të ekspertëve ndërkombëtarë për të detyruar një rishikim, jo vetëm të pasurisë së Malajt, por edhe akuzave për lidhje me krimin.
Apeli rezultoi në shkarkimin e Malajt, pasi Kolegji i Posaccëm i Apelimit zbuloi se ai nuk kishte shpjeguar origjinën e të paktën 45,000 eurove të ardhura. Por gjykata vendosi se nuk ishte e nevojshme të shqyrtoheshin lidhjet e raportuara të tij me një vilë luksoze në qytetin bregdetar të Vlorës dhe lidhjet e dyshuara me krimin e organizuar.
Që nga 31 janari i këtij viti, Malaj është një nga 359 gjyqtarët dhe prokurorët publikë që janë shkarkuar apo larguar nga detyra nga një proces vetingu i nisur në vitin 2016 në Shqipëri. Kjo është afërsisht 45 për qind e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Megjithëse jo pa probleme, rezultatet e procesit të vetingut janë përshëndetur nga mbështetësit e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Por edhe pse korrupsioni në gjykata është një problem në të gjithë Ballkanin, asnjë vend tjetër nuk ka ndjekur shembullin e Shqipërisë përsa i takon vetingut rigoroz të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe shkarkimit të atyre që nuk mund të shpjegojnë dot se si u bënë kaq të pasur.
Apartament në Spanjë
Procesi i vetingut në Shqipëri mbështetet në parimin se nuk i takon trupave të vetingut të provojë shkeljet; i takon gjyqtarit ose prokurorit që po kalon procesin e vetingut të shpjegojë se ku i kanë gjetur paratë për të financuar jetën që bëjnë.
Në një seancë dëgjimore, komisioni paraqet gjetjet e tij dhe përgjigjet e dhëna nga individi në fjalë. Vendimi për shkarkim mund të apelohet dhe i gjithë procesi monitorohet nga ekspertë juridikë ndërkombëtarë.
Megjithatë, në vendet e tjera të rajonit, shpesh kriteri i vetëm për të gjykuar ndershmërinë e një gjyqtari është deklarimi publik i pasurisë së tyre. Por kjo jo gjithmonë funksionon.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, deklarime të tilla të pasurisë mund të publikohen vetëm me pëlqimin e gjyqtarit ose prokurorit në fjalë. Nga afërsisht 1,400 gjyqtarë dhe prokurorë publikë në Bosnje, rreth 10 për qind e kanë dhënë pëlqimin.
Të dhënat e pasurisë mblidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe i Prokurorisë, por ligji nuk e rregullon siç duhet se kush është përgjegjës për kontrollin e këtyre pasurive, përveç Prokurorisë.
Ndryshimet në ligj që do t’i mundësonin vetë Këshillit të kontrollonte dokumentet e pronës – pjesë e katër ligjeve kyçe që Bosnja duhet të miratojë për të filluar bisedimet e pranimit në Bashkimin Evropian – janë pezulluar prej vitesh.
Një nga rastet e rralla në të cilat u hetuan të dhënat e pronës shërbeu vetëm për të theksuar mangësitë e sistemit.
Në vitin 2021, kryetari i Gjykatës së Shtetit, Ranko Debeveç, u përball me një seancë disiplinore pasi nuk raportoi një apartament në Spanjë. Kur erdhi koha për dëshmi të hollësishme, çështja u mbyll për publikun.
Avokati i Debeveçit tha se klienti i tij ishte vetëm bashkëpronar i banesës dhe nuk kishte asnjë detyrim ta regjistronte atë në të dhënat e tij të pasurisë, pasi apartamenti ishte blerë para emërimit të tij si gjyqtar.
Në një postim në një blog, gjyqtari holandez Van der Weide, një këshilltar ndërkombëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial në atë kohë, kritikoi faktin se “Debeveç nuk arriti të siguronte asnjë provë të jetës së tij në Spanjë”, por pas një paralajmërimi publik në vendimin e shkallës së parë, Debeveçi përfundimisht u shfajësua pas së cilës ai u emërua kryetar i Gjykatës së Shtetit për herë të dytë.
Emrat e atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve në Bosnje që kanë refuzuar miratimin që deklarimet e tyre të pasurisë të publikohen nuk janë të disponueshme për publikun.
Në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, pasuritë e deklaruara nga zyrtarë publikë, përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë, janë në përgjithësi të disponueshme për publikun, por nuk bëhen kontrolle zyrtare për saktësinë e tyre. Në Serbi, bëhen përjashtime për gjyqtarët dhe prokurorët që merren me krimin e organizuar, terrorizmin dhe korrupsionin. Deklarimet e tyre të pasurisë nuk janë të disponueshme publikisht deri në dy vjet pasi një gjyqtar ose prokuror që merret me shqyrtimin e krimeve të tilla është larguar nga detyra publike.
E zakonshme për këto vende është se deklarimet e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve i nënshtrohen kontrolleve të mëtejshme vetëm nëse ka arsye për dyshime për shkelje, ose në bazë të raportimeve të mediave.
Megjithatë, në Serbi BIRN ka qenë dëshmitare rastesh kur, duke pyetur Agjencinë Shtetërore Kundër Korrupsionit për pasurinë e paluajtshme të përcaktuar se i përket një zyrtari të caktuar, por të pa regjistruar në Agjenci, i është thënë se zyrtari në fjalë, në fakt, e kishte paraqitur ndryshimin, por se Agjencia ende nuk i kishte përditësuar të dhënat e saj.
Mënyra në të cilën një ndryshim pronësie i një prone regjistrohet nga gjyqtarët dhe prokurorët ndryshon në të gjithë rajonin.
Në Maqedoninë e Veriut, për shembull, një ndryshim konsiderohet i rëndësishëm vetëm nëse vlera e tij tejkalon 20 paga mesatare, ose afërsisht 11,000 euro. Në Mal të Zi, shuma është 5,000 euro dhe në Serbi një ndryshim pronësie ose të ardhurash duhet të raportohet vetëm nëse ndryshimi vlen më shumë se paga mesatare para taksave.
Gjobat nuk janë një pengesë
Nga 34 gjykata themelore në Maqedoninë e Veriut, kryegjyqtarët e 12 prej tyre nuk dorëzuan deklarime pasurie në vitin 2020, sipas një raporti në Këshillin Gjyqësor nga Komisioni Shtetëror Kundër Korrupsionit. Kjo është një kërkesë e detyrueshme.
Vesna Dameva, ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor, tha për BIRN se konstatimi “nuk ishte futur në rendin e ditës të seancës së Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut dhe as nuk është iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit/kryetarit të gjykatës”.
Sipas ligjit, një gjë e tillë mund të sjellë shkarkimin e një gjyqtari. Por BIRN nuk qe në gjendje të identifikonte qoftë edhe një rast të vetëm të një gjyqtari ose prokurori që kishte humbur punën e tij/saj për shkelje të ligjit në lidhje me blerjen dhe fshehjen e paligjshme të pronës.
Në vitin 2020, ushtruesi i detyrës së kryetarit të gjykatës themelore në qytetin juglindor të Strumicës pagoi një gjobë pasi nuk dorëzoi një deklarim pasurie. Gjoba ishte 300 euro, por meqë e pagoi brenda tetë ditësh, ajo u përgjysmua në 150 euro.
Pasi nuk dorëzoi sërish deklarimin e pasurisë në fund të mandatit, Komisioni Kundër Korrupsionit hapi një tjetër çështje ndaj tij. Gjykatësi këtë herë refuzoi të paguante, me arsyetimin se ai nuk ishte as i zgjedhur dhe as i emëruar, por se thjesht e kishte mbajtur vetëm përkohësisht atë post.
Ai gjithashtu argumentoi se në rastin e tij kishte skaduar afati i parashkrimit dhe se gjoba për kundërvajtje për një person fizik, sipas ligjit, nuk mund të kalojë 250 euro.
Komisioni Kundër Korrupsionit i hodhi poshtë argumentet e gjyqtarit. Por, në këtë rast, ishte më e thjeshtë të paguhej gjoba sesa të respektohej ligji.
“Ata e paguan gjobën, por ende nuk e kanë dorëzuar deklaratën e pasurisë”, tha për BIRN Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Kundër Korrupsionit.
Ajo tha se emrat e atyre që nuk kanë dorëzuar deklaratën e pasurisë ose kanë dorëzuar një deklaratë të paplotë do të bëhen publike dhe do të njoftohen gjykatat ku punojnë.
Sipas të dhënave nga Komisioni Kundër Korrupsionit, gjatë tre viteve të fundit, 30 gjyqtarë dhe 10 prokurorë nuk kanë dorëzuar deklaratat e pasurisë apo raportuar ndryshimet në pronat që kanë në pronësi.
Në Maqedoninë e Veriut, kontrollet në deklaratat e pasurisë së zyrtarëve publikë kërkojnë gjithmonë kohë.
Në mars 2019, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vendosi të kontrollojë pasurinë e pesë gjyqtarëve. Ata u zgjodhën pas një Raporti të Departamentit të Shtetit që pretendonte ndërhyrje politike në emërimet e tyre.
Katër vjet më vonë, në rastin e dy prej gjyqtarëve, nuk u gjet asnjë provë se ata kishin arritur të pasuroheshin në mënyrë disproporcionale. Kontrollet vazhdojnë për tre të tjerët.
Problemet ndonjëherë lindin kur prona regjistrohet në emrin e një personi tjetër ose është blerë jashtë vendit.
Ivanovska tha se Komisioni Kundër Korrupsionit ka rënë dakord për marrëveshje bashkëpunimi me një sërë vendesh për të mundësuar shkëmbimin e informacioneve për zyrtarët publikë, por ato ende nuk kanë hyrë në fuqi.
Një vështrim në deklaratat e pasurisë së nëntë gjyqtarëve që punojnë në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit zbulon një sërë mospërputhjesh. Disa nuk përmendën as pagat e tyre, ndërsa të tjerë raportuan se kishin aksione në kompani, por dhanë informacion të paplotë ose të paqartë për dividentët e tyre.
Pothuajse zero besim te sistemi gjyqësor
Sipas sondazheve të Balkan Barometer, besimi në gjykata, në të gjithë rajonin, në 2023 varion nga vetëm 1.7 deri në 2.6 për qind.
Një pjesë e arsyes është dyshimi se gjyqtarët dhe prokurorët marrin ryshfete për t’i drejtuar çështjet në një mënyrë të caktuar, ose për t’i mbyllur fare ato.
Lejla Bicakciç, drejtore e Qendrës për Raportim Hulumtues, CIN, në Bosnje tha se “zbulimi transparent” i pasurive do të ndihmonte shumë për të hequr renë e dyshimit nga gjyqtarët dhe prokurorët.
Në vitin 2018, CIN publikoi një bazë të dhënash që kontrollonte pasuritë e politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nxirrte në pah mospërputhjet.
“Deri më sot, nuk kemi parë asnjë hap në atë drejtim për më shumë transparencë dhe kontrolle”, tha Bicakciç.
Në Serbi, media investigative KRIK raportoi vitin e kaluar mbi të dhënat e rrjedhura nga gjigandi bankar zviceran Credit Suisse që tregonin se gjyqtarja e Beogradit Milena Trgovceviç Prokiç kishte një llogari bankare me mbi 400,000 franga zvicerane, afërsisht 415,000 euro.
Gjyqtarja doli në pension në vitin 2020 dhe, me sa di KRIK, nuk u hap asnjë çështje gjyqësore për gjetjet e tij. Trgovceviç Prokiç nuk iu përgjigj kërkesave të KRIK për koment.
#Vetingu #magjistratëve #në #Shqipëri #ngre #pikëpyetje #të #parehatshme #për #kolegët #tyre #në #Ballkan