Aktualitet

Berisha: Pëllumb Gjoka i afërt me Edi Ramën, akuzohet për vrasje

Lideri i demokratëve, Sali Berisha ka komentuar arrestimin e Pëllumb Gjokës dhe Oltion Bistrit, një biznesmen dhe ish shefin e operacionales, duke thënë se informacionet e para kanë ardhur nga partnerët europianë. Sipas Berishës, Pëllumb Gjoka ishte një njeri i afërt me Edi Ramën dhe kryeministri donte t’i jepte një kazino në hotelin e tij.

“Sot është arrestuar Pëllumb Gjoka, një nga banditët kryesorë, një njeri, i cili me ndihmën e Edi Rramës, ka grabitur rreth 100 mijë metra katrorë në Velipojë. Akuzohet edhe për vrasje njerëzish. Pëllumb Gjoka ka një motel këtu, të cilit Edi Rama i ka dhënë apo donte t’i jepte pesë yje dhe kazino. Pëllumb Gjoka ishte po kaq i afërt me Edi Ramën sa Damian Gjiknuri. Por mbi Pëllumbin ishte Bistri. Bistri është një nga eksponentët e krimit në Shqipëri dhe Ballkan. Ai drejtonte Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit. Oltion Bistri është një përbindshëm i krimit. Nga hajdut ordiner te autor i të gjitha llojeve të dhunimit të ligjit. Ai zbatonte urdhrat e prokurorisë për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij në krim, ndaj edhe ata ia mbathnin lirshëm se njoftoheshin para se të ekzekutohej urdhri” tha Berisha.

Kush janë personat e arrestuar:


1. Oltion Bistri- Specialisti i Drejtorisë së Krimeve në Volum, Oltion Bistri sapo ishte emëruar në këtë pozicion. Më herët ka mbajtur postin e Shefit të Operacionales një post që e mori në shkurt të vitit 2022. Në vjeshtën e vitit 2021, ka qenë me detyrë në Policinë e Lezhës ndërsa ka drejtuar edhe atë të Durrësit.

2. Xhevahir Lita- Prokuror i qarkut Kukës. Ai e mbante detyrën e Prokurorit të Kukësit që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.

3. Astmer Bilali- Anëtar i bandës së Bajrave dhe ish boksier i Vllazënisë. Astmer Bilali, ish boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv. Ai u arrestua në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër nga FNSH dhe RENEA, si pjesë të “Bajrave”, e ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale. Vetëm pak kohë më parë, iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babi dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali.

4. Ardit Hasanbenga- Ish Shefi i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat. Ai u shkarkua nga policia në nëntor të vitit te shkuar pas shkarkimit të zinxhirit komandues të policisë së Beratit. Kjo u bë pas zbulimit të serave me kanabis në këtë qark, në fshatin Rërëz

5. Pëllumb Gjoka- Njihet si biznesmen i kazinove dhe i ndërtimeve në Velipojë. Ai gjithashtu drejton edhe Imperial Construction, plazhin ADA në Velipojë dhe një sërë biznesesh po në këtë zonë.

6. Edmond Lika ende nuk ka një informacion për postin e këtij të fundit.

Ende nuk është konfirmuar se çfarë shkeljesh kanë kryer këta persona, por operacioni ka qenë shumë i gjerë dhe mund të jenë edhe persona të tjerë të arrestuar. Priten të dhëna të tjera më të hollësishme për këtë operacion, por kryesisht SPAK preferon të mbajë hermetik informacionin deri në përfundim të një procesi.

#Berisha #Pëllumb #Gjoka #afërt #Edi #Ramën #akuzohet #për #vrasje

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button