Spahiu: Ky sistem elektoral, më i keqi në histori! Partitë e reja kanë avantazh votën e emigrantëve

Juristi Kreshnik Spahiu mendon se ky sistem elektoral ku do votohet më 11 maj është më i keqi ndër tre dekada pluralizëm në Shqipëri dhe që i disavantazhon së tepërmi forcat e reja politike.
Por zgjedhjet janë shansi më i mirë i partive të reja për të larguar xhaketat e vjetra, teksa një tjetër faktor historik sipas tij, është edhe Prokuroria Speciale, ku mbi 1 mijë ish-zyrtarë dhe zyrtarë të të gjitha kategorive, janë nën akuzë, të dënuar apo nën hetim.
I ftuar në ‘5 Pyetjet nga Babaramo” mbrëmjen e sotme në Report Tv, ai bëri analizën e situatës më të fundit politike, duke parë të favorizuar në prizmin elektoral forcat e mëdha, që i ndihmon edhe Kodi Elektoral.
“Risitë e reja janë partitë e reja politika. Unë që kam përjetuar Dhjetorin 90 ndjej atmosferën edhe pse në rrethana e premisa të reja. Me parti të reja politike, situatës, jo për shkak të krizës ekonomike, por për faktorë të tjerë, ku kryesori është Prokuroria Speciale. Shqiptarët pas tre dekadash u përballën me realitet të ri, ku mbi 1 mijë zyrtarë janë nën akuzë, nën hetim, ku përfshihen ish-presidentë, ministra, zv/kryeministra, deputetë. Shqiptarët panë në atë që ishte përtej mediave se si po dalin xhaketat e vjetra të politikës. Partitë e reja nuk gjejnë mundësi më të mirë se kjo, për më tepër duke përfshirë edhe Diasporën, çerekmilioni shqiptarë që janë jashtë influencës politike, ndikimit të votës, që duke e përkthyer në mandate nëse do votonin të gjithë, do prodhoheshin 25 deputetë. Janë të shpërndara në fakt dhe nuk përkthehen automatikisht. Jo vetëm diaspora, por edhe rrjetet sociale, ku të vegjlit janë bllokuar nga mediat, por kanë rrjetet sociale për të bërë fushatën e tyre”, u shpreh ai.
Më tej theksoi edhe disavantazhin, ku tashmë listat e mbyllura nxjerrin pjesën më të madhe të deputetëve të ardhshëm. Sipas Spahiut, parlamenti pas 30 vitesh do jetë për herë të parë “i emëruar”.
“Kanë një disavantazh të madh zgjedhjet e vitit 2025 në 11 maj. Për herë të parë shqiptarët votojnë me sistemin më të keq e negativ. Në tre dekada nuk ka pasur sistem më negativ, pavarësisht fshehtësisë së votës. 70% e listës së mbyllur dhe 30% e hapur bën që populli të mos ketë mundësinë të zgjedhë, devijon votën, populli nuk përfaqësohet. Do kemi Parlament të emëruar, nuk është vota e popullit. Ky është disavantazhi më i madh që do penalizojë edhe partitë e reja. Sepse nëse sistemi i drejtësisë do të vepronte do i kishte hequr këto parti të mëdha që kanë kapur këtë sistem. Populli do të votojë i diktuar në këto zgjedhje, ndaj janë edhe më negativet”, shprehet juristi.
#Spahiu #sistem #elektoral #më #keqi #në #histori #Partitë #reja #kanë #avantazh #votën #emigrantëve
Java News