Begaj përkujton “Dëshmorin e Kombit” Indrit Cara, përurohet monumenti i tij

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot në Kavajë “Dëshmorin e Kombit”, Indrit Cara, në 26-vjetorin e rënies në luftën e Kosovës, në një ceremoni solemne ku u inaugurua monumenti i tij.
Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule në shtatoren e “Ushtar Kavajës” në nderim të veprës sublime për kombin.
Në fjalën e mbajtur gjatë kësaj ceremonie, Presidenti Begaj vlerësoi vendosmërinë dhe sakrificën e 28-vjeçarit nga Kavaja, i cili la Anglinë dhe iu bashkua djemve dhe burrave në luftën për çlirimin e Kosovës, ndërsa theksoi se Indrit Cara i përket Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë shqiptarisë.
“Ai lindi në Kavajë, por sot i takon Kosovës, i takon Shqipërisë, i përket shqiptarisë. Indrit Cara është shembull dhe simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie dhe një zemër që rrahu fuqishëm për lirinë e kombit shqiptar. Ai është një emër i gdhendur në historinë e kombit tonë, një model frymëzimi që tregon rrugën për të rinjtë tanë: frymën e sakrificës, forcën e unitetit dhe rëndësinë e veprimit për të mirën e kombit tonë”, shprehet Begaj.
Presidenti i Republikës theksoi se përkujtimi i Indrit Carës shërben për të gjithë si kujtesë për angazhimin e përhershëm për të mos e lënë të shuhet ëndrrën për të cilën ai dha jetën.
“Sakrifica e tij shërben si një busull për të ardhmen tonë, për një komb të bashkuar, për një shqiptari të fortë, për një Kosovë që ecën përpara, e lirë dhe krenare”, deklaroi kreu i shtetit.
Kreu i Shtetit kujtoi me nderim edhe figurat që udhëhoqën përpjekjet për çlirimin e Kosovës: Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Adem Jasharin, si dhe nënvizoi përgjegjësinë për bashkëpunim jo vetëm të politikës, por të çdo qytetari për të ruajtur dhe pasuar amanetin e të parëve.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë vizitës në Kavajë u prit dhe zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë, Fisnik Qosja, ndërsa vizitoi dhe Muzeun Etnografik të Kavajës të restauruar së fundmi.
#Begaj #përkujton #Dëshmorin #Kombit #Indrit #Cara #përurohet #monumenti #tij
Java News