Kina krijon “armën” që mund të zhysë botën në errësirë

Laboratori Shtetëror i Automjeteve të Thellësive Detare, pjesë e Qendrës së Kërkimeve Shkencore Detare të Kinës (CSSRC), ka zhvilluar një pajisje të avancuar për prerjen e kabllove nënujore, e aftë të operojë deri në 4.000 metra thellësi.
Sipas South China Morning Post, ky sistem fillimisht është prezantuar për përdorim në operacione shpëtimi dhe miniera detare, por kapaciteti i tij për të prerë kabllot e çelikut të forcuar që transmetojnë 95% të të dhënave globale ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar, shkruan A2 CNN.
Ajo është e pajisur me një disk prerës 150 mm të veshur me diamant, i cili rrotullohet me 1.600 rpm, duke i mundësuar të shkatërrojë kabllot e telekomunikacionit pa lënë gjurmë të mëdha në fundin e detit. Testimet e para tregojnë se mund të presë kabllo deri në 60 mm trashësi.
Ekspertët kanë ngritur alarmin mbi rrezikun që kjo teknologji mund të përfaqësojë për sigurinë kibernetike dhe infrastrukturat kritike. Duke qenë e përshtatshme për operacione të fshehta dhe sulme hibride, ajo mund të përdoret për të ndërprerë internetin dhe rrjetet strategjike të të dhënave.
“Newsweek” raporton se Kina kishte eksperimentuar me teknologji të ngjashme që në vitin 2020, kur një grup inxhinierësh nga Universiteti i Lishuit në Zhejiang zhvilloi një “pajisje prerëse për kabllot nënujore”, duke argumentuar se në disa raste të jashtëzakonshme mund të jetë e nevojshme ndërprerja e tyre.
Ndërsa Kina e prezanton këtë sistem si një inovacion për përdorime civile, shqetësimi mbetet për mundësinë e përdorimit të tij në akte sabotimi dhe luftë kibernetike, duke e bërë atë një mjet potencialisht destabilizues në tensionet gjeopolitike.
#Kina #krijon #armën #që #mund #të #zhysë #botën #në #errësirë
Java News