Më pak se 24 orë arrati/ Plagosi me thikë 36-vjeçarin, arrestohet autori i ngjarjes në Pogradec

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pogradec, ku një 36-vjeçar është plagosur me thikë për motive të dobëta.
Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, 54-vjeçarin L. O., ndërsa është proceduar në gjendje të lirë 38-vjeçari A. B., i cili ndihmoi autorin të largohej nga vendngjarja.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20 në lagjen nr. 3 të qytetit. Pas marrjes së njoftimit për plagosjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë organizuar menjëherë veprimet e nevojshme dhe kanë shkuar në vendngjarje. Falë veprimeve hetimore dhe operative, policia ka identifikuar autorin e plagosjes.
Sipas hetimeve, pas konfliktit, L. O. është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Benz”, i ndihmuar nga A. B. Pas disa orësh kërkimesh, policia ka arritur të kapë autorin e dyshuar.
L. O. është arrestuar për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Ndërsa A. B. është proceduar për “Përkrahja e autorit të krimit”.
Si prova materiale, janë sekuestruar automjeti dhe mjeti prerës. I plagosuri ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
#Më #pak #orë #arrati #Plagosi #thikë #36vjeçarin #arrestohet #autori #ngjarjes #në #Pogradec
Java News