Skandali me pulën e infektuar/ Kompania AMG importoi mishin e infektuar, “Dimal” e shpërndau në treg

Një sasi prej rreth 13 ton fileto pule e kontaminuar me bakterin e salmonelës ka hyrë në Shqipëri përmes portit të Durrësit, ndërsa besohet se ajo ka përfunduar edhe në tryezat e qytetarëve.
Hetimet mbi skandalin e filetos së infektuar kanë zbuluar se një sasi ende e paqartë e kësaj ngarkese ka hyrë në treg edhe pse ishte zbuluar se përmbante bakterin e rrezikshëm.
Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se ngarkesa e dyshimtë ka mbërritur në Portin e Durrësit më 11 mars 2025 nga AMG shpk me pronar Arben Goxha i cili eshte shpallur ne kerkim dhe është marrë në dorëzim nga kompania Dimal Inc, një subjekt i themeluar në vitin 2019 nga i vellai i Arbenit, Mondi Goxha, një nga të akuzuarit kryesorë në këtë çështje.
Kur më datë 11 mars pasi ngarkesa ka mbërritur në Shqipëri, është marrë mostër nga AKU dhe ISUV, dy institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore. Që nga momenti i konstatimit të sasisë së filetos së pulës me salmonelë më 11 mars, AKU nuk ka bërë asnjë njoftim për konsumatorin dhe ka dalë me një deklaratë 1 javë pasi u kryen analizat.
Ngarkesa ka rezultuar me përmbajtje salmonele, ndërsa ISUV vendosi të thellojë analizat por nuk ndaloi shitjen në treg të produktit.
7 ditë pas futjes në Shqipëri, rezultatet e analizave treguan se mishi ishte i infektuar me llojin më të rëndë të bakterit të salmonelës.
Kjo kompani, megjithëse e re në tregun ushqimor shqiptar, ka përfituar disa grante nga programi IPARD, duke investuar në pajisje dhe teknologji.
Reagimi i kompanisë Dimal
Deklaratë në lidhje me importin e mishit të pulës së papërpunuar dhe sigurinë e produkteve DIMAL
Të nderuar konsumatorë dhe partnerë,
Kompania DIMAL Inc. dëshiron të sqarojë publikisht sa më poshtë:
Së pari, sqarojmë se kompania jonë nuk importon drejtpërdrejt mish pule të papërpunuar, pra nuk është kompania jonë importuesi i mishit të pulës së papërpunuar që raportohet ne media të ndryshme online dhe në rrjetet sociale. Ky proces kryhet ekskluzivisht nga një prej furnitorëve tanë të jashtëm, i cili mban përgjegjësinë e plotë për kontrollin, dokumentacionin dhe përputhshmërinë e produktit me standardet ligjore dhe shëndetësore në fuqi.
Pas një njoftimi zyrtar nga furnitori ynë mbi dyshime për kontaminim të mundshëm në një sasi të kufizuar të mishit të papërpunuar, kompania DIMAL Inc. reagoi menjëherë, duke ndërmarrë të gjitha masat paraprake të nevojshme për të garantuar sigurinë e zinxhirit tonë të prodhimit. Ne konfirmojmë se asnjë sasi nga lotet e kontaminuara nuk është përdorur në prodhimin e produkteve ose nënprodukteve tona dhe se grupi i identifikuar nuk është aktualisht në prodhim.
DIMAL Inc. zbaton me përpikmëri standardet më të larta të kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë certifikimet HACCP, ISO 22000, ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 45001, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar transparencë të plotë./ BalkanWeb
#Skandali #pulën #infektuar #Kompania #AMG #importoi #mishin #infektuar #Dimal #shpërndau #në #treg
Java News