Ndryshimi i Brojës dhe glikoja e Përmetit

Nga Altin Sulçe
Ajo që pamë të gjithë me Andorën, ishin tri golat dhe tri pikët. Por kjo ndeshje për llogari të eliminatoreve të Kupës së Botës, kishte edhe anët e dukshme dhe te padukshme që përftoheshin nëpërmjet gjuhës së trupit.
Dhe vështrimet në mbrëmjen e lagësht të pranverës i vodhi sërish ylli i Kombëtares sonë, Armando Broja, pavarësisht se Rei Manaj, realizoi dopietën, dhe Uzuni golin rrufe… Broja nuk ndezi shpesh motorët e tij, por ndezi thirrjet e zemrave të tifozëve, bashkë me to edhe shpresën për një rikthim të madh për ndeshjet me Serbinë e më gjerë.
Dhe Broja e ka këtë status si beniamin, pasi e ka fituar këtë dashuri të tribunave pa kushte, që herët në debutimin e tij.
Në fakt, në këto ndeshje tifozët nuk e prisnin sulmuesin te ishte prezent, pasi ai prej kohësh ndiqej nga djalli i dëmtimeve, aq shumë sa që shumë njerëz nisën të thonë që aq e pati. Këtej shpërthenin komentet, andej Broja rropatej spitaleve të Anglisë…
Befas shfaqet në listë dhe më bukur në fushë, sikur donte të thoshte: “Ja ku jam”.
E gjithë odisea nuk është e lehtë, do karakter të fortë të cilin e afishoi edhe këtë herë në Kombëtare duke rrezikuar, shumë, dëshmi e qartë që rrëfen se djali e do shumë këtë fanellë. Erdhi dhe u duk me i maturuar, më i rezervuar dhe më efikas.
Gjate gjithë ndeshjes me Andorën u fut shumë pak në aventurë, vetëm 3 herë, ku në driblimin e parë mori faullin e golit, në të dytin bëri perfekt kamarierin për Rei Manajn, i cili shënoi me portën bosh e kështu me radhë.
Broja më parë në ato pozicione godiste dhe kritikohej që nuk shërbente, kujtojmë këtu golin me Hungarinë në pozicion të pjerrët. Këtë ndeshje dukej më i pjekur, mbase dhe më i kujdesshëm.
Nuk donte më të shkonte për analiza të tjera mjekesore të mërzitshme, që i kanë ardhur në majë te hundës, prandaj vetëm pasonte. Me shumë mundësi edhe stafi i Everton e ka porositur: “Shko, por ki kujdes”! Dhe kjo është mëse normale, duke parë edhe kalvarin e dëmtimeve.
Broja u duk më i qetë, më lider, më profesionist dhe kjo është simptomë e një rikthimi të shumëpritur. Dikush më tha në stadium se sekreti që Broja është mirë është glikoja e Përmetit, të cilën Armando e pëlqen… Ca s’ndodh, ndonjëherë edhe duhet besuar…?!
#Ndryshimi #Brojës #dhe #glikoja #Përmetit
Java News