Berisha nuk heq dorë nga zhbërja e SPAK: Reforma në drejtësi, eksperiment i ekstremit të majtë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi sot reformën në drejtësi si produkt të “ekstremit të majtë” dhe fondacionit Soros, duke i qëndruar idesë për ribërjen e saj, pikërisht disa ditë pasi ekspertët amerikanë të OPDAT janë rikthyer në SPAK dhe SHBA-të mbështesin fuqimisht reformën në drejtësi.
Edhe pse mbështetja e SHBA-ve ndaj reformës dhe SPAK-ut është e panegocieshme, ai nuk kurseu akuzat duke e quajtur dështim këtë drejtësi dhe se duhej riberë me Venecian nga ana e PD pas 12 majit.
Për këtë shkak sot është zhvilluar edhe tryeza për analizën e reformës së kryer deri tani, që e cilësoi të dështuar dhe nevojën për të bërë një të re, me ndihmën edhe të Fondacionit “Konrad Adenauer”, përveç Komisionit të Venecias.
I ftuar në aktivitetin e organizuar nga ‘Albanian Policiy Center’ dhe Fondacioni “KONRAD ADENAUER” me temë: “Vlerësimi i Reformës në Drejtësi të Shqipërisë. Sfidat, Pasojat dhe Rruga e Drejtë”, Berisha e cilësoi drejtësinë si “një armë në duart e pushtetit” që përdoret për arrestimin e liderëve të opozitës, “eksperiment të ekstremit të majtë” dhe që ka nevojë për një ribërje.
Kjo tryezë, duhet theksuar se ishte organizuar nga përfaqësues dhe ish-përfaqësues politikë pranë PD-së, si ish-zv/ministrja e Jashtme, Edith Harxhi.
Berisha la të kuptohet se edhe kjo tryezë ishte nisja e një fushate për realizimin e saj pas 12 majit, duke kërkuar ekspertiza dhe mendime për ta korrigjuar dhe ribërë. Berisha akuzoi edhe SPAK-un për çështjen e të drejtës për të përgjuar këdo, duke shkelur çdo ligj, marrë shkak edhe nga çështja e përgjimit të gjyqtarëve të Kushtetueses.
“Reforma në drejtësi ishte një eksperiment i ekstremit të majtë, i fshehtë dhe i përdorur si kurrë më parë, që aplikohet në vende të ndryshme të botës me demokraci të dobët. Platformë e fshehtë dhe u projektua e realizua nga fondacioni Shoqëria e Hapur. Ky fondacion përcaktoi strategji me ndryshime të thella, reformë kushtetuese, sistemi në drejtësi dhe reformën elektorale. Ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë, “Fondacionit Adenauer”, që të studiohet ky realitet dhe të mos pranohet si tabu, se tabutë janë fenomene tipike për diktaturat dhe demokracitë. Reformat janë konstantja e tij. Reforma u realizua nga ekstremi i majtë. Mohimi i të drejtës së shqiptarëve për proces të drejtë ligjor”, tha kreu i selisë blu, duke lënë të kuptohet nisjen e një fushatë të re për ribërjen e kësaj reformë nga PD-ja.
Argumentet që ai përdori për këtë nismë ishin ato të lakuara së fundmi, me doza të forta akuzash ndaj SPAK-ut dhe stokut të dosjeve të krijuar.
“Nga 130 mijë dosje që ishte, stoku sot është 150 mijë dosje. Ata që flenë mbi dosje dhe të drejtën e shqiptarëve për të pasur një proces ligjor të ndershëm, ata lëshojnë deklarata në mbrojtje të dështimit madhor. Zvarritja e gjyqeve kushton vendit miliarda. Ka zhdukur edhe sigurinë juridike në këtë vend, aq jetike dhe e rëndësishme. Aspekti tjetër është vënia në survejim e gjykatësit nga ana e prokurorit. Nuk ka mendje më të mbrapshtë, përveçse ekstremi i majtë që do të vendosë nën kontroll drejtësinë me metoda dhe mekanizma antikushtetuese. Dhe i bëjnë propagandë reformës. Dhe del ai atje, kreu i Prokurorisë Speciale e thotë se gjykatësi duhet të bëjë atë që themi ne. Sepse segmente të regjistrimeve që u bëjnë gjykatësve, shpërndahen në të katër anët, deri te telefoni im si qytetar dixhital, po, po. Atëherë ta heqim gjykatësin, s’kemi nevojë për ta, kemi prokurorin dhe kaq. Ky është kontroll policesk i paimagjinueshëm”, tha Berisha.
Teksa vuri në dukje edhe shkeljen e të drejtës për prezumimin e pafajësisë, ai shtoi se 62% është shkalla e të paraburgosurve, shifra si në vendet diktatoriale. Ai e cilësoi një “sistem policesk”, ku edhe për të zbardhur një vendim duhen 3, 4 apo 5 muaj për ta zbardhur.
Berisha sulmoi SPAK-un edhe për 2 dosjet elektorale të Peshkopisë dhe Durrësit.
“Kjo drejtësi ka kahun e saj politik të pamohueshëm, i cili në moment të caktuar e vit elektoral, në mënyrë antikushtetuese bën amnistinë e krimit elektoral. Dosjet janë të bazuara në regjistrime zyrtare e me procedura ligjore, dy dosje, e Peshkopisë dhe Durrësit. Por ato, kreu i afërmendshit (i referohet Altin Dumanit), i hedh në kosh, sepse aty del kryeministri si kapo i krimit elektoral në ato dosje. Por nuk ka akt më të rëndë se amnistimi i krimit elektoral, përbën licencë për ndikimin e rotacionit të pushtetit, ndikimin e krimit dhe dhunimin e vullnetit të zgjedhësve”, tha ai.
Më tej akuzoi kryeministrin Edi Rama si dora që drejton drejtësinë dhe shprehu frikën se opozita nuk mund të vijë dot në pushtet pasi zgjedhjet blihen dhe vidhen, teksa gjithashtu përdoren nga kundërshtari edhe argumentet se ka zyrtarë të arrestuar e dënuar nga qeveria.
Ai e cilësoi kryeministrin si ‘Lukashenko’ apo ‘Zajedi i Tunizisë’. Berisha e shpjegoi këtë me strategjinë e diktaturës komuniste, ku bashkë me armikun e klasës, dënonte dhe pushkatonte gjithashtu anëtarët e saj.
“Një Prokurori që në vit elektoral arreston drejtuesit e 3 partive opozitare, si Zajedi i Tunizisë, i cili në dallim nga Zajedi i Tiranës nuk i dhunoi në mes të rrugës publikisht, siç veproi Lukashenko i Tiranës me Ilir Metën. Nuk veproi me marrje mandatesh të Fredi Belerit dhe Ervin Salianjit, pra drejtësia është shndërruar në armë shumë të fuqishme në duart e regjimit. Vështirësia jonë ku është? Ndaj falënderoj edhe fondacionin, se kjo drejtësi ka dënuar apo penalizuar edhe zyrtarë të lartë të PS-së, përfshi edhe Erjon Velinë. Por të dashur miq, ne që kemi përjetuar diktaturën komuniste, e kemi të qartë se diktatura çonte në skuadrën e pushkatimit si kriminelin dhe armikun e partisë apo anëtarin e partisë. Kjo drejtësi kthehet në armë të pushtetit, edhe pse dënon disa zyrtarë të pushtetit, por nuk guxon të prekë kreun e Meduzës. Kjo reformë është produkt i ekstremit të majtë dhe një Shqipëri e pushtetit, duke blloku opozitën dhe rotacionit. Ne kemi vështirësi serioze, sepse atë që kanë shpenzuar dhjetëra miliona për këtë reformë, e kanë të vështirë ta pranojnë dështimin”, tha kreu i PD-së.
Duke marrë shkaas nga argumentet e përdorura më sipër, ai tha se edhe Venecia e kishte paralajmëruar, teksa nismën me Fondacionin Adenauer e vlerësoi në kuadër të evidentimit të problemeve të reformës dhe nevojës për ta ribërë.
“Falenderoj Komisionin e Venecias që e paralajmëroi këtë situatë. Në analizën e bërë në lidhje me institucionet e drejtësisë, paralajmëroi se po krijojnë korporatë që vetëm sistem drejtësie nuk mund të jetë. Ndaj e nisëm këtë me Fondacionin Adenauer dhe jo pa qëllim, pasi Gjermania dhe Gjykata e këtij vendi ka kontribute të jashtëzakonshme në të drejtën europiane dhe historike në konceptin ligjor. Do ecim drejt një reforme që i rikthen shqiptarëve të drejtën e një koncepti ligjor, të drejtën e prezumimit të pafajësisë”, tha Berisha.
Ai sulmoi edhe Magjistraturën, që e cilësoi si “Shkolla e Rakipit”, (ish-kryeprokurori Arben Rakipi), ku pa kaluar nga ajo nuk bëhesh as prokuror dhe as gjyqtar.
“Çfarë përfaqëson ajo? Një mafie ndër më të rrezikshme në Europë. Çfarë duhet të bëjnë ata? Pa kaluar në atë shkollë nuk bëhen dot prokurorë e gjyqtarë”, u shpreh ai.
Por nuk munguan akuzat edhe ndaj ish-ambasadores amerikane Yuri Kim dhe një marrëveshjeje të institutit të drejtuar nga Delina Fico, në lidhje me projektin e reformës të sponsorizuar një dekadë më parë.
“Marrëveshja e Delina Ficos me Yuri Kim dhe institutin, e kemi marrë e marrëveshjen dhe e kemi parë. Fondacionit “Qemal Stafa” të PS-së i është dhënë detyra e këshilltarit të plotë ligjor, kur nuk plotësojnë asnjë kush ligjor. Kur këtu ka me qindra juristë të shkolluar që plotësojnë ato kushte. Por duhet të jenë militantët që në dhomë këshillimi japin mendimin. Kemi besim se e vërteta do prevalojë”, përfundoi ai.
#Berisha #nuk #heq #dorë #nga #zhbërja #SPAK #Reforma #në #drejtësi #eksperiment #ekstremit #të #majtë
Java News