Tech

Bumi i eksporteve, bujqësia i vetmi sektor që shënoi rritje në qershor

Nëse shprehja çfarë do të mbjellësh do të korrësh është e vërtetë, të dhënat e fundit të INSTAT mbi tregtinë e jashtme në muajin qershor konfirmojnë se bujqësia shqiptare është duke korrur me dividentë të gjithë reformat strukturore dhe investimet masive të realizuara përgjatë viteve të fundit.

Këto të dhëna konfirmojnë se bujqësia është sektori i vetëm që njohu rritje të eksporteve në muajin qershor.Ndonëse rënia e pandërprerë e monedhës së përbashkët europiane Euro, shoqëruar në vend me forcimin e Lekut ka bërë më të shtrenjtë produktet shqiptare në tregjet e huaja, sektori i “ushqime, pije, duhan” regjistroi në 6 mujor një rritje 4.7% në sasi krahasuar me vitin e mëparshëm dhe 20.7% në vlerë.

Sektorët e tjerë të ekonomisë kanë pësuar kontraktim përsa i përket mallrave të eksportuar, me rënien më të madhe të mbajtur nga sektori i “materiale ndërtimi dhe metale”, eksportet e të cilit në qershor 2023 krahasuar me qershorin e vitit të shkuar u reduktuan me 9.7%.

Të dhënat për rritjen e eksporteve bujqësore janë edhe më mbresëlënëse krahasuar me të dhënat e qershorit 2022, kur eksportet bujqësore u rritën me “vetëm 1.5%”, në një kohë kur të gjithë degët e ekonomisë, pa përjashtim njohën rritje të eksporteve, me rekordin e mbajtur pikërisht nga materialet e ndërtimit dhe metalet me +11%, ndjekur nga produktet kimike dhe plastike me 6.9%.

Rritja e eksporteve bujqësore, përballë kontraktimit të sektorëve të tjerë shpjegohet me ciklin natyror në të cilin funksionon bujqësia, një sektor në të cilin investimet, subvencionet apo ndërhyrjet sektoriale duan më shumë kohë që të japin efekt se sa në sektorët e tjerë.
Për këtë arsye, këto shifra janë shumë të rëndësishme, sepse provojnë se pavarësisht rënies së kursit të këmbimit, dinamika e prodhimit në Shqipëri mbetet fuqimisht pozitive.

Ajo që tashmë vërehet është një efekt domino, në të cilin subvencionet, investimet masive në infrastrukturën rurale, përfshi rrugë, kanale vaditëse, ujitëse dhe argjinatura, mbështetja e produktit vendas si dhe zgjerimi i suksesshëm në tregje të reja japin sinjale të forta pavarësisht një klime ndërkombëtare larg të qënit optimale.

Pa dyshim, bujqësia, ashtu si dhe sektorët e tjerë e ka vuajtur efektin e kursit të këmbimit, e ndërsa rritja është një lajm i shkëlqyer për fermerët shqiptarë, një kurs stabël do të kishte sjellë një rritje edhe më të madhe për eksportet bujqësore.Të gjithë këto arsye, bëjnë që parashikimi për rritjen afatshkurtër dhe afatmesëm të jetë tejet pozitive.

E marrë në vlerësim në të gjashtë muajt e parë të vitit, eksportet bujqësore kanë tejkaluar vlerën e 30 miliardë Lekëve, rreth 271.2 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 20.7% në vlerë.Blegtoria është sektori që njeh rritjen më të madhe të eksporteve, 3.5-fish më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.Tek kategoria e Agroindustrisë, eksportet e vajit të ullirit dhe peshkut të konservuar njohën rritjen më të madhe, pasuar nga ujrat mineralë e artificialë dhe zarzavatet e konservuara.

Bujqësia është rritur me 8.3%, ku produktet që kanë njohur rritjen më të lartë janë domatja (+22%), ndjekur nga kastravecat (+12%), zarzavatet (+12%), pjeprat, shalqinjtë, lakra, lulelakra(+5%), etj.Ndërsa peshkimi ruan të njëjtat nivele rekord të një viti më parë. Në këto 6 muaj, eksportet e peshkut të tharë janë rritur me 36% në vlerë, peshku i freskët +27%, molusqet +20%.

/f.stafa

#Bumi #eksporteve #bujqësia #vetmi #sektor #që #shënoi #rritje #në #qershor

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button