Ju me zemër ne me inat

Dritan Dervishi ishte i ftuar në emisionin Koha Shtesë, atje ku foli sa i përket përballjes së kaluar të Shqipërisë me Anglinë, por njëkohësisht edhe për takimin e sotëm kundër Andorrës. Gjithashtu në këtë diskutim, Dervishi që ka rolin e zyrtarit të Veronës, ekipit të Serisë A, tregoi se në një bisedë të bërë me disa prej lojtarëve të Serbisë, ata i pranuan faktin se Shqipëria luan me zemër, ndërsa vetë luajnë me inat.
“Unë mendoj se nuk duhet të gabojmë në ndeshjet tona më të vogla, të mos gabojmë atje ku duhet fitorja me patjetër, në mënyrë që të luajmë gjithçka me Serbinë për vendin e dytë. Ne kemi një fat të madh se Serbia kur luan me ne, luan me inat, jo me zemër, luan me inat. Nuk dua të them emra lojtarësh, por lojtarë të Serbisë më kanë thënë: “Ju luani me zemër, në luajmë me inat”. Se vetë trajneri i Serbisë i karikon për inat, nuk fitohet futbolli me inat, ndërsa ne luajmë me zemër. Serbët ranë pre e një provokimi në Beograd si budallenj dhe lanë tre pikët (qesh).
Erdhën këtu kur ishin të eliminuar pastaj dhe fituan 2-0 kundër nesh në Elbasan, treguan se ishin të fortë. Nëse bazohemi edhe te vlera e Transfermarkt, Serbia është më lart se ne. Por unë jam i bindur se Serbia do ta bëj një gabim rrugës përveç nesh. Ma thanë vetë lojtarët e Kombëtares së Serbisë për Shqipërinë. E kuptoni? I çmendi Granit Xhaka, një provokim i vogël dhe 20 lojtarë humbin kokën dhe humbin ndeshjen. Ky është futbolli, edhe një lojë provokimi, ta nxjerrësh jashtë vetes. Ne me Serbinë mund edhe të fitojmë po patëm besimin te vetja, për mua në Beograd me 100% ne nuk humbim”, tha Dervishi. /Sport Ekspres/
#zemër #inat
SportExpress