“Berisha shiti listën e kandidatëve në Shkodër”, Amuli akuza të forta: PD-në e përdor për interesa personale

I ftuar në lidhje në ‘Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, ai dha edhe shkaqet përse opozita është e përçarë dhe shkon me fraksione në zgjedhjet parlamentare.
“Kam qenë drejtues i PD-së për vite me radhë, kryetar grupseksioni apo kryetar dege. Do doja që të ishim një trup i vetëm, të bashkuar, sikurse kemi qenë deri më 2021. Por pas këtij viti ndodhën shumë gjëra, morën dhenë dhe u krijuan shumë situata. Jam munduar të shpreh vazhdimisht mendimet e mia, që të funksonojmë në një grup të vetëm.
Dihen problemet që ndodhën në PD, nuk mund të fshehim fraksionet, u krijuan problemet. Nuk ishte faji i strukturës, por i tjetërkujt. Doja që PD të mos përdorej për interesa personale, por përçarja ishte evidente dhe e pakthyeshme. Kam folur disa herë dhe periudhën e fundit e kam përmendur shumë Berishën.
Ai na imponon shumë mendimet, edhe gjatë foltores përmendi 2 kandidatë të partisë, që i prezantoi, kandidatë të Foltores. Unë nuk jam kandidat dosido, vij nga shoqëria civile e biznesi, kam shumë vite, kontribute në sport dhe donator te Vllaznia, jam munduar prej vitesh për gur themeli te PD-ja e Shkodrës”, tha Amuli për Report Tv.
I pyetur përse mendonte se ishin paguar para nga kandidatët apo pse ishin njerëz të Berishës, ai u shpreh:
“Janë kandidatë të Berishës, të përkëdhelur të tij, të hershëm pranë tij, por PD nuk është pronë personale, që mund ta përdorin sido, apo si dua unë, PD është aset kombëtar, por këta e kanë keqpërdorur PD-në dhe kontributet. PD-në e ritheksoj nuk mund ta përdorin si plaçkë dhe interesa personale.
Berisha po e përdor për gjëra personale, nuk i intereson se sa deputetë merr, por ai do një grup parlamentar që i përshtatet, s’bëjnë zë, çojnë dorën për interesat e tij dhe ngrenë dorën për të. Kjo më shqetëson më shumë se çdo gjë”.
Berisha gjatë vizitës së fundit në Shkodër sulmoi edhe kandidatët e Koalicionit Euroatlantik dhe Demokratët Euroatlantikë. Por Amuli shprehet se zërat për pagesa deri në 00 mijë euro kanë dalë nga vetë brenda PD-së së Shkodrës, nga anëtarë që dolën të pakënaqur nga lista e Shkodrës.
“Më mirë se kushdo e dinë kandidatët e Berishës që i ka futur në Primare, që nuk janë Primare. Kam drejtuar edhe zgjedhje në PD. Kanë qenë tre palë zgjedhje 2021, 2022, 2023 dhe unë e di sa është database e partisë, por ai bëri zgjedhje të turpshme, u tall me demokratët e qytetit, duke mos i përfilluar votimet e Primareve dhe futi ashtu siç ia priti mendja.
Kjo u pa që kur bënë marrëveshjen me Ramën për Kodin Elektoral, u pa Berisha. Disa fjalë që qarkullojnë dhe kanë dalë nga zyrat dhe anëtarët që përfaqësojnë Berishën dhe që dolën të pakënaqur, nuk janë fjalë që i kam nxjerrë unë”, vijon ai.
Dhe në fund e mbyll me përfshirjen në fushatë për Demokratët Euroatlantikë, ku theksoi se “ka shumë angazhim dhe takime me elektoratin, në terren për të punuar”.
Kurse në lidhje me forcën e opozitës në Shkodër si bastion i demokratëve, Amuli thekson se ka pasur pazar Berisha-Rama që të mbetej bastion i djathtë, pasi PD fiton gjithmonë aty.
“Kompromisi i PD ishte që ta merrte me qira Bashkinë e Shkodrës dhe e toleroi Rama Berishën duke ia lënë bashkinë, si pasojë e kompromisit, sepse ishin të gjitha bashki të majta, i duhej gjoja si bastion. Shkodra ka produkte të Berishës, se vetëm ai fiton në Shkodër, ka marrëveshje me Ramën. Njerëzit e atyre zyrave, kandidatët, që synonin nga Primaret vende deputeti, prej atyre ka dalë se vendet në listat e mbyllura janë shitur”, përfundoi Amuli.
#Berisha #shiti #listën #kandidatëve #në #Shkodër #Amuli #akuza #të #forta #PDnë #përdor #për #interesa #personale
Java News