Jeta e Doktor Vasil Llajos që ngriti perandorinë Intermedica në Shqipëri!

Themeluesi i “Intermedica”, Dr. Vasil Llajo ka rrëfyer për emisionin “Shqip nga Drita Hila” në DritareTV fillimet dhe historinë e suksesit të karrierës së tij. Dr. Llajo ka qenë i pari që mori iniciativën për të sjellë skanerin e parë në Shqipëri, pas eksperiencës së punës së tij në Greqi. Mjeku i njohur tregon për gazetarin Hila jetën e tij nga Saranda në Tiranë, punën si mjek anestezist, zhvendosjen në Athinë dhe kthimin në Shqipëri për të hedhur themelet e perandorisë Intermedica që shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe ofron praktikat më të avancuara ndërkombëtare në shërbim të pacientëve. Tanimë Dr.Llajo do të kontribuojë edhe më shumë për bashkëqytetarët e tij, përmes futjes në Parlament, nëse fiton në zgjedhjet e 11 majit, pasi po kandidon për deputet në qarkun e Vlorës, në listat e hapura të PS-së. Është koha thotë Llajo që intelektualët të futen në jetën politike, që mos komandohemi nga injorantët.
“Origjina ime është nga fshati minoritar Dhivër, në rrethin e Sarandës. Unë jam lindur dhe rritur në Sarandë. Që nga viti i parë i shkollës fillore dhe deri në fakultet kam qëndruar mes Sarandës dhe Tiranës. Këtu ishte dhe vazhdimësia e gjuhës shqipe. Unë gjuhën greke e ruajta brenda vetes dhe në familjen time, sepse me prindërit flisnim greqisht. Edukimi shkollor ishte gjuha shqipe. Pasi mbarova gjimnazin, unë vazhdova Fakultetin e Mjekësisë. Pasi mbarova fakultetin në 1992-shin, fillova në punoja në rrethin e Sarandës. Unë kam punuar në Sarandë deri në shtator të 1986-ës, pastaj erdha në Tiranë dhe u emërova në Klinikën e Neurologjisë si anestezist reanimator.
Pasi u hap Shqipëria, në vitin 1991, unë rastësisht u ndodha në Greqi dhe aty pasi pashë disa mjekë që po jepnin provimin për të njehsuar diplomën e Fakultetit të Tiranës me të Greqisë, me vrull depozitova dokumentet. Pastaj dhashë provimin ca në greqisht, italisht, anglisht dhe mora provimin me pikët maksimale. M’u njoh diploma, por nuk vazhdova menjëherë punë në Greqi. Erdha në Tiranë, edhe vazhdova punën deri në 1992-shin në neurokirurgji. Pastaj bashkë me gruan dhe dy fëmijët, u zhvendosëm në Athinë, ku vazhdova anestezi reanimacioni në spitalin kirurgjik që ka Athina, në Biblën e Ortopedisë së Athinës.
Unë ndenja 3 vjet në Athinë, nga 1992-shi në 1995-ën. Pastaj u ktheva që të instaloja një skaner në Shqipëri. Unë e futa skanerin e parë në Shqipëri si në privat edhe në publik. U deshën shumë para, por mora kredi 630 mijë dollarë me 18%. Kështu nisëm rrugëtimin e skanerit. Sa shumë jetë njerëzish ka shpëtuar ky skaner, në atë kohë. Unë konvertova radiologjinë konvencionale më radiologji digjitale.
Si u krijua Perandoria Intermedica!
Unë kam 40 laboratorë Intermedica nëpër Shqipëri, në Kosovë dhe Greqi. Ka pasur momente të vështira që edhe mund të dorëzohesha, por nuk ndalova së përpjekuri. Pasi shleva kredinë e parë, e vazhdova rrugëtimin tim me Intermedica-n. Unë kam futur për herë të parë në Intermedica biologjinë molekularë, analizatorët e ngarkesave virale që në 2002-shin.
Kur bleva një aparaturë të ngarkesave virale që bënte PCR-në, ishte shumë e shtrenjtë, 120 mijë euro, më thanë ata të kompanisë greke; pse do e blesh kur nuk ke raste. Unë 5-6 raste kisha. U thashë atyre që unë kam 5 tani që nuk kam analizatorë, kur të kem ato do kem 100. Pra ky ishte koncepti im. Unë nuk bëj biznesplan, ta shkruaja me laps e letër. Më ndihmonte fakti që isha mjek.
Një nga çelësat e suksesit tim është që unë nuk kam ngatërruar familjen me biznesin. Jo çdo pasuri të patundshme mund t’ua lësh fëmijëve. Mbase në një të ardhme fëmijët e mi do ta marrin drejtimin, por unë tani e kam më të lehtë të kem administratorë, sepse ata i vë para përgjegjësisë për ta bërë punën më mirë se sa do ta bënte fëmija.”, thotë doktor Vasil Llajo në DritareTV.
#Jeta #Doktor #Vasil #Llajos #që #ngriti #perandorinë #Intermedica #në #Shqipëri
Java News