Aktualitet

Maqedonia e Veriut jashtë kontrollit: Shumë klube, pak licenca

Në fund të muajit qershor të vitit të kaluar në Shkup kishin mbetur vetëm tre objekte hotelierike që mund të funksiononin ligjërisht pas mesnatës, gjegjësisht pas orarit të punës të paraparë për kafenetë dhe restorantet. Këtë e tregojnë të dhënat e fundit për licencat e lëshuara për veprimtari hotelierike të publikuara në uebfaqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, shkruan Prizma

Dy nga këto vende kanë qenë të regjistruara si kabare dhe një si disko klub i hapur. Dy ndodhen te Parku i Qytetit, ndërsa një në afërsi të Teatrit “Komedia”. As edhe një objekt tjetër në kryeqytet që gjatë asaj periudhe ka pranuar klientë pas mesnate ose pas orës 1 në fundjavë nuk nuk ka punuar ligjërisht.

Por, krahas këtyre vendeve ka pasur edhe vende të tjera ku janë mbajtur festa gjatë natës, për këtë ka shumë dëshmi të shumta në rrjetet sociale, duke përfshirë këtu edhe reklamat e publikuara nga vetë klubet që nuk janë në listën e poseduesve të licencave.

Dokumenti i Ministrisë së Ekonomisë përmban të dhëna nga viti 2017 deri në mesin e vitit 2024. Nga ai mund të shihet se çdo vit në mbarë vendin janë lëshuar rreth tridhjetë leje të këtilla për objektet hotelierike si kabaretetë, klubet e natës, disko klubet dhe disko klubet e hapura (të vetmet që mund të punojnë natën), me përjashtim gjatë viteve të pandemisë, 2020 dhe 2021, kur numri i lejeve ra në vetëm shtatë dhe dymbëdhjetë. Numri më i madh i licencave, 39 licenca, janë lëshuar në vitin 2017, në vitin 2023 numri i tyre ishte 33, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2024 – 16.

Këto dokumente për punë lëshohen çdo vit, ndërsa kompanitë që menaxhojnë objekte të tilla hoteliere kanë për obligim që t’i rinovojnë ato pasi tu ketë kaluar afati. Nga lista e Ministrisë shihet se shumë klube dhe kabare nuk e bëjnë këtë gjë rregullisht, pra kanë “hendeqe” nga një licencë deri tek tjetra. Për shembull, pesë objekte të njohura në Shkup, të cilat kanë marrë licenca në gjysmën e parë të vitit 2023, nuk i kanë rinovuar ato në vitin 2024. Por nuk ka të dhëna nëse vërtet nuk kanë punuar në periudhën për të cilën nuk kanë pasur dokumente.

Diskoteka Puls në Koçan, në të cilën nga zjarri jetën e humbën 59 persona, ka marrë licencë në vitin 2021, pastaj në vitin 2023. Sipas dëshmive të shumta, diskoteka ka punuar gjatë gjithë kohës.

Ndërkohë nga Ministria e Ekonomisë për BIRN thanë se për momentin kanë lëshuar gjithsej 24 licenca aktive, nga të cilat 20 për kabare, dy për disko klube dhe dy për disko klube të hapura. Pesë kërkesa të tjera po procedohen.

Diskoteka Pulse, foto nga Facebook-u i tyre

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupcionit me paralajmërim që në vitin 2023

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka ngritur alarmin për problemet me licencat që në vitin 2023. KShPK-ja ka konstatuar punë të paligjshme të inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut gjatë inspektimeve në lokalet e natës në Shkup gjatë vitit 2022. Ata kanë vepruar pas dy parashtresave anonime për klubet që punojnë pa licencë dhe jashtë orarit të punës.

Ata kanë konstatuar se edhe pse inspektorët kanë kryer rregullisht inspektime dhe kanë shqiptuar gjoba të cilat pronarët i kanë paguar dhe lokalet nuk janë mbyllur, pavarësisht se nuk kanë poseduar licenca për punë.

KSHPK-ja ka konstatuar se disa prej tyre kanë marrë licenca për vitin e ardhshëm, 2023, ndërsa të tjerët kanë vazhduar të punojnë pa to, gjë që “tregon për një përqendrim të fuqisë dhe ndikimit të madh të pronarëve të këtyre objekteve mbi organet dhe autoritetet shtetërore”.

Që një objekt hotelierik të marrë një licencë për klub nate, disko klub apo kabare, duhet të plotësojë disa kërkesa teknike nga aspekti i asaj se sa hapësirë ​​​​ duhet të ketë për vizitor, çfarë lloj mobiljesh dhe pajisjesh mund të përdoren në të, çfarë lloj skene për shfaqje duhet të ketë, etj. Një nga kërkesat janë rregullat e sigurisë nga zjarri, si lartësia minimale, pajisjet për shuarjen e zjarrit dhe daljet emergjente që duhet t’i ketë çdo objekt i tillë.

Sa kontrollohen klubet e natës?

Një ditë pas fatkeqësisë në Koçan autoritetet nuk reshtën së rendituri gjithë çka nuk ka pasur dhe nuk ka përmbushur diskoteka “Puls”. Më së miri situatën në objektin e djegur e shpjegoi prokurori Ljupço Kocevski. Ai tha se vendi asnjëherë nuk ishte regjistruar për hotelieri, por për industri të lehtë, ndërsa ka pasur një enterier gipsi jo rezistent ndaj zjarrit, pa tavan të lëshuar me materiale zjarrfikëse dhe pa sistem alarmimi për zjarrë.

Të gjitha këto para se të ndodhte fatkeqësia duhet të ishin konstatuar nga inspektorët e tregut, të cilët në fakt kanë kompetenca të mëdha në kontrollin e të gjitha kompanive. Ata janë përgjegjës për shumë shkelje, nga lëshimi i llogarive fiskale, shërbimi i alkoolit të të miturve, e deri atje nëse objekti i hotelerisë i plotëson kërkesat minimale teknike dhe nëse ka licencë për punë.

Në fakt në hetimin për zjarrin në klubin “Puls” tashmë janë ndaluar tre inspektorë tregu.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga viti 2023 në Inspektoratin e tregut kanë qenë të punësuar gjithsej 255 persona, por nuk dihet se sa prej tyre janë inspektorë dhe sa janë administratë.

Në vitin 2024 ata kanë kryer gjithsej 5.586 kontrolle, por vetëm 176 prej tyre kanë qenë sipas ligjit për veprimtari hotelierike, me të cilin rregullohen jo vetëm kabaretë dhe klubet e natës, por edhe objektet e tjera, si hotelet, restorantet dhe kafenetë.

Pas fatkeqësisë kreu i shtetit njoftoi inspektime të hollësishme në objektet hotelierike që funksionojnë si klube nate, për të siguruar që ato t’i plotësojnë mbi të gjitha kërkesat për siguri nga zjarri. Ky aksion pritet të kryhet nga Inspektorati i Tregut. Kryeministri Hristijan Mickoski sot tha se do të mbyllen të gjitha klubet që nuk kanë licencë.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.



#Maqedonia #Veriut #jashtë #kontrollit #Shumë #klube #pak #licenca
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button