Pikëpyetjet për mungesën… Pse nuk u lejua Thaçi në varrimin e të atit?

Ish-presidenti Hashim Thaçi nuk mori pjesë në varrimin e të atit, Haxhiut, të cilit iu dha lamtumira e fundit të martën në Burojë të Skenderajt.
Mosprania e ish-presidentit nxiti reagime të forta në Prishtinë duke e cilësuar një turp mos dhënien e lejes nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Fillimisht pati deklarata kontradiktore nëse kishte një kërkesë nga ana e avokatit të Thaçit por që u sqaruan menjëherë.
“Z. Thaçi ka bërë kërkesë të hënën para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e së martës. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, tha avokati i Thaçit, Luka Misetic.
Dhomat e Specializuara, duke mos përmendur ndonjë vendim, thanë se i trajtojnë me prioritet kërkesat e kësaj natyre por ka edhe arsye logjistike që nuk realizohen në kohën e duhur.
“Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, ishte përgjigja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paralajmëroi se do t’i kërkonte sqarime Dhomave të Specializuara për mungesën e Thaçit në varrim.
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës e cilësoi si të papranueshme dhe të padrejtë mungesën e ish-kryeministrit në ceremoninë mortore.
“Është një humbje e cila bëhet edhe më rëndë sidomos për shkak të mungesës së presidentit Thaçi që nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Së paku në fund të jetës së bacës Haxhi ai e pati mundësinë ta shoh edhe njëherë por besoj që është krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme, dhe e paarsyeshme, mungesa e presidentit Thaçi sot në varrimin e babait të tij”, tha kryetari i PDK, Memli Krasniqi.
Reagime pati edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare dhe ish-bashkëluftëtarët e Thaçit.
“Kjo gjykatë është jo vetëm raciste por edhe selektive por tani kohën e fundit po i merr fytyrën dhe po i shfaq faqen e zezë edhe investitorëve që e financojnë atë gjykatë”, tha Nasim Haradinaj nga “OVL-UÇK”.
Thaçi qëndroi në Kosovë të enjten e 13 marsit ku pati një vizitë rreth 3 orë në ambientet e Qendrës Klinike Universitare ku i ati po trajtohej në ato që ishin ditët e fundit të jetës së tij.
#Pikëpyetjet #për #mungesën #Pse #nuk #lejua #Thaçi #në #varrimin #të #atit
Java News