Mbrojtja e Ramës është si ‘puthja’ e Judës –

Mbetja e Dashnor Sulës jashtë listës së Partisë Demokratike është bërë temë diskutimi në opinionin publik dhe jo vetëm. Edi Rama në rubrikën “Sy m’Sy” u kujdes ta cilësonte kalimin e Sulës te lista e koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, si arratisje.
Sipas kryeministrit tribuna e kënetës e ka poshtëruar Sulën. “Dash Sula që nuk ka lënë gjë pa bërë për një karrige u la në det të hapur dhe mesa mora vesh u arratis sepse nuk e përballoi dot këtë poshtërim që i bëri këneta dhe vazhdon të besoj se Shqipëria Bëhet. Në fund të ditës Dash Sula është gjel deti i Peqinit. Papajtueshmëria me ujin e kënetës”, tha Rama.
Komenti i kryeministrit për këtë largim nga radhët e PD nuk i ka shpëtuar Sali Berishës.
Kryedemokrati në daljen e tij për mediat pretendoi se Rama e mori në mbrojtje Sulën dhe e krahasoi këtë me “puthjen” e Judës.
“Mbrojtja e kryeministrit është puthja e Judës për Dash Sulën, i cili ka karrierën e tij”, tha Berisha.
Pasi theksoi se e respekton zgjedhjen si thelbin e lirisë të çdo individi, Berisha tha se rreshtimi i Dash Sulës në krah të Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, do të thotë të dalësh kundër opozitës reale të vendit.
“Mendoj se, hapi që bëri, të rreshtohet me opozitën e opozitës, pra de facto, me një patericë të Edi Ramës nuk është zgjidhja, në vlerësimin tim”, nënvizoi ai.
#Mbrojtja #Ramës #është #puthja #Judës
Java News