Shkodranët janë të besës! Shqipëria i merr lojtarin Irlandës, Kevin Zefi na kishte dhënë fjalën

Një tjetër talent i madh vjen te Shqipëria. Kevin Zefi ka ndërruar ngjyrat e Kombëtares teksa ka lënë ato irlandeze dhe do të vesh ato kuqezi. Lojtari i të rinjëve të Romës është pjesë fikse titullare në ekipin U-20, atje ku në 21 ndeshje ka realizuar 3 gola dhe ka dhënë 7 asist. Roli i tij i preferuar është ai pas sulmuesit kryesor, por mund të luajë gjithashtu edhe në rolin e sulmuesit të majtë.
Më parë, Kevin Zefi ka mbrojtur ngjyrat e të gjitha grupmoshave të Irlandës, duke shkuar deri në Irlandën U-21. 20-vjeçari shfaqet tanimë në listën e Alban Bushit, për ndeshjen miqësore që Shqipëria U-21 do të ketë kundër Greqisë U-21.
Ky futbollist ka lindur në Irlandë nga dy prindër shkodranë që kanë emigruar në këtë vend. Një detaj i veçantë në këtë rast është fakti se Kevin Zefi i kishte dhënë fjalën Alban Bushit se do të vinte te Shqipëria që në vitin e shkuar. Por më pas për shkak të dëmtimeve që nuk e lejuan, afrimi i tij me ngjyrat kuqezi mori edhe pak më shumë kohë.
Në fund ajo që vlen, është se shkodrani tregoi gjakun dhe origjinën e tij, se fjala e dhënë nuk kthehet kurrë mbrapsht. Ai vendosi të pranonte ftesën e Shqipërisë dhe të linte kështu përfundimisht Irlandën. Disa kohë më parë, Zefi ka qenë pjesë e të rinjëve të Interit. Duke spikatur talentin e tij të madh, Inzaghi e ka marrë për stërvitje edhe në ekipin e parë, ku Zefi ka qënë në shoqërinë e Asllanit.
Edhe mesfushori i Interit i ka sygjeruar Zefit që t’i bashkohet Shqipërisë në të ardhmen dhe pas gjithë këtyre këshillave dhe sygjerimeve, kalimi ndodhi. Sigurisht që më e mira për këtë lojtar do të ishte që të bënte një tjetër hap në karrierën e tij pasi Italia nuk është vendi i duhur për të kaluar nga grupmoshat në ekipin e parë, në Itali është vendi ku asnjëherë ekipet nuk marrin lojtarë nga akademia.
E veçantë në lojën e Kevin Zefit janë driblimet dhe spektakli që jep në fushën e blertë, me lëvizje hipnotizuese që marrin gjithmonë duartrokitje nga tifozët e pranishëm në stadium. Por pika e tij më e dobët janë padyshim golat e realizuar, teksa i duhet të punojë më shumë për të rritur statistikat e tij në të ardhmen. Për momentin ardhja e tij te Shqipëria është për t’u përgëzuar dhe tani do të kemi një tjetër talent që mund të shndërris në të ardhmen dhe që Irlanda investoi jo pak te ai. Pas këtij hapi të Kevin Zefit, është radha e Roko Vatës për të ndërmarrë të njëjtin vendim. /Sport Ekspres/
#Shkodranët #janë #të #besës #Shqipëria #merr #lojtarin #Irlandës #Kevin #Zefi #kishte #dhënë #fjalën
SportExpress