“Non grata” i parë në Ballkan dhe adhuruesi i Trumpit mori goditjen e parë nga Trumpi –

Nga Mero Baze
Milorad Dodik, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, është një i sanksionuar për minimin e sigurisë dhe stabilitetit të Bosnjës nga Departamenti i Shtetit. Sanksionimi i tij u bë në të njëjtën kohë me Sali Berishën. Dhe, njësoj si Berisha në atë kohë, ai e quajti këtë një veprim të administratës amerikane të ndikuar nga Sorosi dhe, për ta injoruar, u bë një mbështetës i zjarrtë i Donald Trump. Ai ka marshuar rrugëve të Beogradit dhe Bosnjës me bluza ku është stampuar portreti i Presidentit Trump, në vazhdën e retorikës se kjo ishte një hakmarrje politike e demokratëve në SHBA.
Dje, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mbajti qëndrimin e tij të parë për Ballkanin, duke konfirmuar politikën e SHBA-së për personat “non grata”. Në një postim, i cili gjendet në faqen e ambasadës së SHBA-së në Beograd, thuhej:
“Veprimet e Presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. Kombi ynë inkurajon liderët politikë në Bosnje dhe Hercegovinë që të angazhohen në një dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne në kundërshtimin e këtij sjelljeje të rrezikshme dhe destabilizuese.”
Qëndrimi i Sekretarit të Shtetit, i pari për Ballkanin, tregon se administrata e re po kthen vëmendjen tek politikat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe ky është konfirmimi i parë mbështetës për politikën e sanksioneve “non grata” që ka vendosur shteti amerikan në Ballkan.
Për ngjashmëri me Milorad Dodikun, Sali Berisha është sanksionuar për minimin e demokracisë, korrupsion madhor bashkë me familjarët e tij dhe shantazh ndaj drejtësisë.
Ky është një lajm i keq për Sali Berishën. Do të ishte lehtësim i madh sikur Sekretari Marco Rubio të ishte mirënjohës ndaj Dodikut që është tifoz i Presidentit Trump dhe t’ia hiqte ato sanksione. Në fund të fundit, me logjikën që Berisha përdor në Tiranë, SHBA-ja duhet të zhbejë gjithçka që ka bërë në Ballkan, që nga Bosnja, Kosova e deri te politikanët problematikë që ka sanksionuar.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, shpëtimtari i Bosnjës më 1993 në Senatin amerikan ka qenë ish-Kryetari i Politikës së Jashtme të Senatit, Joe Biden, i cili me një fjalim prej 65 faqesh ktheu opinionin e politikës amerikane dhe e fokusoi atë tek shpëtimi i Bosnjës nga shfarosja që i kanosej nga nacionalizmi serb, një vit pas masakrës së Srebrenicës.
Falë këtij fokusi të ri të SHBA-së në vitet ’90, u arrit tek Marrëveshja e Dejtonit më 1995 dhe më pas tek bombardimi i Serbisë për shkak të Kosovës më 1999.
Shpresa e politikanëve të sanksionuar në Ballkan se ardhja e Presidentit Trump dhe një lloj përmbysjeje e rendit botëror që po ndodh mund t’i shpëtojë edhe ata, dje mori një shuplakë të rëndë.
Për Berishën, do të ishte një lehtësi e madhe sikur SHBA-ja t’ia kishte shpërblyer Dodikut dashurinë elektorale për Presidentin Trump. Por ja që nuk ndodhi. Dhe të mendosh që Serbia aktualisht është një nga vendet e përkëdhelura të SHBA-së, ku presidenti Vuçiç ka ndryshuar tërësisht kursin, “një këmbë në Perëndim e një në Lindje”, duke iu afruar plotësisht politikës ruse. Por as kjo nuk e ndihmoi.
Sekretari i Shtetit duket se është me këmbë në tokë kur bëhet fjalë për respektimin e shtetit amerikan dhe autoritetit të tij në botë.
E vetmja shpresë për Berishën tani mbetet ky LaCivita, edhe pse as ai nuk e ka marrë përsipër zyrtarisht heqjen e sanksioneve, duke theksuar se ai është vetëm këshilltar elektoral.
Kështu që shpresat mbeten gjallë pas 11 majit. Ndoshta kur të humbasë, u vjen keq dhe ia heqin sanksionet, se dy humbje nuk i mban dot në këtë moshë!
#grata #parë #në #Ballkan #dhe #adhuruesi #Trumpit #mori #goditjen #parë #nga #Trumpi
Java News